Bujqit e paregjistruar nga viti i ardhshëm do të paguajnë tatim personal të të ardhurave. Do të numërohen të gjithë tezgaxhinjtë në tregjet e gjelbra të cilët do të paguajnë tatim personal paushall, që do ta përcaktojë Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP).
Do të piketohet çdo denarë i paguar i qytetarëve të Maqedonisë, të cilin e kanë përfituar përmes internetit, ose duke shitur mbeturina të dobishme. Kontroll i detajuar do të bëhet edhe te të gjithë “fatlumët” që kanë përfituar nga lojërat e fatit, si dhe personat që i organizojnë këto lojëra.
Kjo është vetëm një pjesë e risive në ndryshimet e Ligjit për tatimin personal të të ardhurave të cilat tanimë janë në procedurë parlamentare. Është paraparë që DAP-i vetë ta llogarisë tatimin e qytetarëve, kurse ata vetëm ta konfirmojnë. Ndryshimet e ligjit janë në drejtim të mbylljes së të gjitha vrimave në të cilat deri më tani derdhej një pjesë e tatimit personal të të ardhurave, i cili në vend që të mbarojë në arkën shtetërore, përfundonte në xhepat private.
Sipas ekspertit të tatimeve, Pavle Gacov, ndryshimet janë në drejtim të përmirësimit administrativ të rregullativës ligjore.
“Kuptohet se praktikisht do të ketë edhe arkëtim më të madh të tatimit personal të të ardhurave në të gjitha pjesët ku deri më tani ka pasur lëshime. E kjo është një ndërfazë, deri në vitin 2019, kur duhet të implementohet tatimimi progresiv, kurse mund të miratohet edhe një ligj krejtësisht i ri. Jo vetëm personat e regjistruar, por tani tatim personal paushall do të paguajnë edhe bujqit e paregjistruar – ky është përkufizimi. Tani DAP do të fitojë informata të tërësishme për të ardhurat e të gjithëve, informatë për personat të cilët realizojnë të ardhura nga tezgat në tregjet e gjelbra dhe të gjithë do të jenë një lloj tatimpagues paushallë. Deri tani ata që punojnë përmes internetit, në fund të vitit paraqitnin dhe merrnin vendime për atë se sa tatim personal duhet të paguajnë. Tani, çdo muaj deri më 15-tin do të duhen përmes një formulari elektronik të tregojnë sa para kanë marrë dhe do të paguajnë tatim në nivel mujor. Lejohet që në Ligjin për procedurë tatimore, DAP t’i kontrollojë të dhënat bashkë me bankat. Pra, do të kenë informatë për të gjitha të ardhurat dhe do të kontrollojnë nëse të dhënat janë të sakta. Informatë të plotë do të ketë edhe për organizuesit e lojërave të fatit”, thotë për POST.mk, Gacov.
Profesori Fatmir Bytyqi, dyshon se deri tani janë paraqitur të gjitha të ardhurat e qytetarëve dhe se është paguar tatimi personal.
“Niveli i paraqitjeve tatimore të dorëzuara është rreth 500.000 në nivel vjetor, ndërsa sipas statistikës, punojnë më shumë se 760.000 persona. Edhe po to mos kishin të gjithë të ardhura shtesë, mendoj se mungojnë minimum edhe 100.000”, tha Bytyqi, duke theksuar se nëse ndryshimet ligjore lejojnë që DAP t’i mbikëqyrë llogaritë e qytetarëve dhe vetë të përgatisë paraqitje tatimore, atëherë do të rriten të ardhurat tatimore në buxhetin në këtë pjesë.
Sipas zgjidhjes së propozuar ligjore, çdo qytetar i cili ka kopsht dhe shet prodhime bujqësore, do të duhet të paguajë tatim personal. Tatimin personal do ta paguajë edhe çdo tezgaxhinj, por sa do të jetë shuma e tij, do të përcaktojë DAP-i mbi bazë të “shumës së qirasë së vendit të shitjes në tregun e gjelbër dhe vëllimit të të ardhurave neto të tatimpaguesit, i cili në kushte të njëjta ose të ngjashme kryen veprimtari të njëjtë ose të ngjashme”.
Ligji duhet të fillojë të zbatohet nga viti 2018.