Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, e ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin e Serbisë në lidhje me dialogun dhe taksën.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se është e pamundur që të gjendet një zgjidhje sa i përket Kosovës.
Kjo pasi që sipas tij, me marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, Prishtina zyrtare beson se kjo marrëveshje nënkupton njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, por siç u shpreh Daçiq, Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, transmeton lajmi.net.
Daçiq në një intervistë dhënë për mediet ruse, ka thënë se Serbia është e gatshme që të vazhdojë dialogun me Kosovën, por vetëm nëse Qeveria e Kosovës shfuqizon vendimin për taksën.
“Ne absolutisht nuk pajtohemi me këtë dhe ne kurrë nuk do ta bëjmë atë, nëse duam një kompromis, jemi gati të flasim. Një nga skenarët është ajo që përmenda (shkëmbimi i territorit), që ende nuk ka ndodhur, sepse Kosova ka imponuar detyrime doganore për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, pas së cilës Serbia e ka ndërprerë dialogun duke thënë se dialogu do të vazhdojë vetëm nëse Serbia njeh pavarësinë e tyre, e cila nuk do të ndodhë, ndërkaq ne jemi duke pritur për heqjen e taksës dhe vetëm atëherë ku të hiqet taksa ne mund të vazhdojmë negociatat me Kosovën”, ka thënë Daçiq në këtë intervistë. /Lajmi.net/