COVID-19| KSI kërkon të shkurtohet afati i izolimit, bazohet në rekomandimet e OBSH-së

Gazetare: Vjollca Aliti

– Advertisements –

Shkurtimi i afatit të izolimit nga 10 në 7 ditë për personat pozitiv me korona virus, nuk u shqyrtua sot nga ana e Shtabit të Krizave, shkruan Alsat.

Nga Qeveria thonë se kjo masë do të miratohet deri në fund të javës.

Një rekomandim i tillë i Komisionit për sëmundje ngjitëse u dha të premten, ndërsa anëtarët e arsyetuan me rekomandimet e OBSH-së.

Drejtori ekzekutiv i OBSH-së Tedros Gebrejesus tha se faza akute e pandemisë mund të përfundojë këtë vit, nëse shtetet përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion. Sipas tij, kjo mund të ndodh nëse rritet shkalla e vaksinimit në vendet e varfra dhe nëse kryhen më shumë testime.

“Nëse shtetet shfrytëzojnë të gjitha strategjitë dhe mjetet në mënyrë gjithëpërfshirëse, ato mund t’i japin fund fazës akute të pandemisë këtë vit. Ne mund t’i japim fund COVID-19 si emergjencë globale shëndetësore dhe mund ta bëjmë këtë gjatë këtij viti. Mungesa e vaksinave tanimë është tejkaluar, ndërsa sfidë logjistike përbën shpërndarja e tyre nëpër të gjitha shtetet e botës”, thotë Tedros Adhamos Gebrejesus, Shef i Organizatës Botërore të Shëndetit.

Drejtori i kompanisë prodhuese të vaksinave Pfizer nuk përjashtoi mundësinë që vaksina të bëhet sezonale.

“Ajo çfarë unë shpresoj është që ne të kemi një vaksinë e cila mund të merret një herë në vit siç bëhet me shumë vaksina tjera. Një herë në vit, është më e lehtë që njerëzit të vendosin ta marrin dhe të mbrojnë shëndetin publik, është situatë ideale. Ne mundohemi të krijojmë vaksinë e cila mbulon variantin Omikron por pa mos I lënë anash variantet paraprake të virusit korona, dhe kjo mund të jetë zgjidhje e kësaj situatë, nëse eventualisht nuk del diçka e re nga virusi”, ka thënë Albert Burla, Drejtor ekzekutiv I kompanisë Pfizer.

Shumë shtete kanë hequr kufizimet kundër virusit korona dhe kanë lehtësuar masat shtrënguese për qytetarët. Ekspertë besojnë se varianti Omikron shënon fundin e pandemisë dhe se për një kohë të shpejtë, numri i lartë i të infektuarve që krijojnë imunitet natyror, bashkë me numrin e të vaksinuarve do ta fusin pandeminë në një fazë të re, apo do ta shndërrojë atë në endemi. Përqindja mesatare e vaksinimit në rajonin e BE-së aktualisht është rreth 70%. / Alsat.mk