Nga fillimi i këtij viti deri në fund të muajit qershor, nga pagesat e autostradave në Maqedoninë e Veriut janë arkëtuar gjithsej 1.919.775.277 denarë, ose mbi 31 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë mbledhur 21.891.532 denarë më shumë, njoftoi Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRS) njofton INA.
Sipas të dhënave të NPRS-së, pika më e frekuentuar e pagesës është Tetova, e ndjekur nga Petroveci, Romanovca, Gllumova, Milladinovci, Zhelina dhe Gostivari. Më pas renditen pikat e pagesës në Stobi, Kadrifakovë, Preod, Sopot, Demir Kapi, Otovicë dhe Gjevgjeli.
Megjithatë, sa i përket të ardhurave të realizuara, në krye të listës është Romanovca, e ndjekur nga Milladinovci, Petrovec, Gllumova, Zhelina dhe Tetova.
Nga NPRS bëjnë të ditur se gjatë periudhave me fluks të shtuar të komunikacionit, veçanërisht gjatë sezonit veror, aktivizohen të gjitha korsitë në dispozicion në pikat e pagesës përgjatë dy korridoreve.
Një prioritet i veçantë i jepet edhe pagesës elektronike përmes M-Tag dhe M-Card, e cila mundëson kalim më të shpejtë dhe, në rastin e M-Tag, pa ndalesë.
Aktualisht, pagesa elektronike përbën 36 për qind të qarkullimit të përgjithshëm në 11 pika pagesash ku është vendosur ky sistem. Sipas NPRS-së, përdorimi i pagesës elektronike është rritur me 6 për qind, ndërsa shitja dhe rimbushja e pajisjeve elektronike është shtuar veçanërisht pasi M-Tag është bërë i disponueshëm edhe në pikat e operatorëve celularë.
Që nga maji i këtij viti, pajisjet M-Tag mund të blihen edhe në rrjetin e shitjes së Makedonski Telekom dhe A1 Maqedoni, ndërsa më parë ishin në dispozicion vetëm në NPRS ose në pikën e pagesës në Petrovec.
Ndërkohë, NPRS po shqyrton mundësinë e ndryshimit të mënyrës së pagesës së autostradave sipas modelit të Serbisë, ku pagesa bëhet në bazë të kilometrave të përshkuara përmes një sistemi të mbyllur. Për këtë qëllim, tashmë është duke u përgatitur një studim për mundësinë e zbatimit të këtij modeli në Korridorin 8.
Gjatë vitit të kaluar, deri më 23 dhjetor, nga pagesat e autostradave janë realizuar të ardhura prej 4.158.914.362 denarësh,ose rreth 67,6 milionë euro./INA/



