Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që nga dita e nesërme, të heqë kufizimin e numrit të personave deri në 50, për grumbullimet në aktivitete të ndryshme.
Por në fuqi mbetet mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura dhe dorëzimi ne pikat kufitare te vendit, i një nga dokumenteve që vërtetojnë kalimin e infeksionit ne 6 muajt e fundit, apo testet që tregojnë se në tre ditët e fundit nuk ke qenë i infektuar me Covid-19.
Vendimet e reja i bëri me dije Zv.Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli.
“Situatë e qëndrueshme por kujdesi duhet të vijojë. Komiteti i Ekspertëve vendos të heqë kufizimin e numrit të personave deri në 50 në grumbullime në aktivitete të ndryshme dhe mbushjes së kapaciteteve deri në 30% të këtyre ambienteve. Qytetarët që hyjnë nga pikat kufitare duhet të dorëzojnë një nga dokumentet, pasaportë vaksinimi, test PCR brenda 72 orëve ose testin e shpejtë, provë të kalimit të infeksionit të vlefshme deri në 6 muaj. Rezidentët që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura duhet të vetëizolohen. Qytetarët e konfirmuar me Covid të respektojnë izolimin 5 ditë nga koha e konfirmimit. Vijon të mbetet në fuqi në gjithë institucionet shëndetësore mos lejohet hyrja e familjarëvë për personat e shtruar. Mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, qendra tregtare supermarkete, dyqane etj. Në administratë duhet të kesh certifikatën e vaksinimit. Vaksinimi është i hapur. Doza booster ofrohet për të gjitha kategoritë, 5 muaj pas dozës së dytë. Vaksinimi është e vetmja mënyrë për të na mbrojtur nga COVID-19.”, tha Rakacolli.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini raportoi sot se në vendin tonë kryhen 2500-3000 vaksinime në ditë kundër koronavirusit. Tomini bën të ditur se të vaksinuarit me dy doza janë 60.9% dhe me dy doza është 56.9%.
“Po përvijojmë me një mesatare të rasteve të vaksinuara, 2500-3000 raste në 24 orë. Mbulesa vaksinale për popullatën target me një dozë është në nivelin 60.9%, me dy doza është 56.9%, në popullatën e përgjithshme është 49%, ndërsa me një dozë dhe dy doza është 45.8%. Në këto kushte të indikatorëve matëse. Duhet të jemi në kushtet e një vaksinimi të plotë. Të pavaksinuar me të dy dozat, me dozat booster, të vaksinohen sepse sezoni vijon akoma” – tha Tomini.
Profesoreshë Najada Como duke folur për situatën në spitalin Covid1 tha se, në dy javët e fundit kemi ulje të numrit të të shtruarve, varion nga 15-20 raste në 24 orë gjithsej të shtruar.
“Numri i atyre që paraqiten në spital është deri në 3 raste gjatë 24 orëve. Nga 45-65 vjeç është grup mosha më e prekur, 60% të atyre që janë shtruar. Për herë të parë ndodh që në spital mbizotëron numri i të shëruarve krahasuar me numrin e të shtruarve. Është dyfishuar numri i pacientëve të dalë nga spitali krahasuar me numrin e pacientëve të shtruar, është ulur numri i personave që kanë ndërruar jetë. Mbizotëron numri i personave të pavaksinuar që janë shtruar në spital.”, tha Çomo.



