Buxheti i shtetit ka arkëtuar 24.2 miliardë lekë, apo rreth 250 milionë euro në vitin 2025 nga taksa e qarkullimit mbi karburantet, sipas të dhënave të publikuara nga financat. Këtë taksë e paguan çdo përdorues makine sa herë që ble karburant, në shumën fikse prej 27 lekë për litër (pa TVSH).
Kosova ka akcizë prej 0.37 euro për litër dhe TVSH prej 18%.
Në total, aktualisht, një shqiptar paguan në një litër naftë 1.16 euro taksa, (53% të çmimit final); një qytetar maqedonas 0.58 euro për litër (36% të çmimit final); një malazez 0.55 euro (35% të çmimit final); një shtetas i Kosovës 0.67 euro, ose 38.5% të çmimit final.
Aktualisht nafta tregtohet me 218 lekë për litër. Qeveria tentoi të kontrollonte çmimet përmes Bordit të Transparencës, por ulja zgjati vetëm një ditë, pas presionit të importuesve se do të ndërprisnin furnizimin me naftë në vend. Masa e vetme e ndërmarrë është ulja e akcizës me 20%, nëse nafta kalon mbi 220 lekë, që do të përkthehej me rënie të çmimit me rreth 8 lekë për litër.
Me fillimin e krizës, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve i ka paraqitur qeverisë një propozim për reformimin e taksës së qarkullimit, që sipas tyre do të çonte menjëherë në uljen e çmimit të karburanteve. Në një propozim të detajuar, aktorët e tregut sugjerojnë që taksa aktuale prej rreth 32.4 lekë për litër të hiqet nga karburanti dhe të zëvendësohet me një tarifë vjetore të drejtpërdrejtë mbi automjetet, e diferencuar sipas kategorive dhe ndikimit në infrastrukturë.
Ata argumentojnë se sistemi aktual krijon pabarazi fiskale, pasi taksa paguhet njësoj për çdo litër karburanti, pavarësisht nga lloji i mjetit apo dëmi që ai shkakton në rrugë. Një model i ri do të zhvendoste barrën drejt mjeteve më të rënda dhe ndotëse, duke e bërë sistemin më të drejtë dhe më të krahasueshëm me praktikat në vendet e Bashkimit Europian.
Megjithatë, qeveria është shprehur kundër heqjes së taksës së qarkullimit nga nafta dhe kalimit të barrës direkt te përdoruesit e automjeteve.
Ndërkohë, Shqipëria vlerësohet se humb të paktën 1 milionë euro në ditë, si rrjedhojë e furnizimit, që automjetet me targa shqiptare dhe ato të huaja që duan të hyjnë në vend, bëjnë në vendet kufitare.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve llogarit rreth 300 -500 / tonë në ditë naftë merren nga klientët shqiptarë afër zonave kufitare. Krahas tyre, një tjetër konsum i humbur prej 120-300 ton në ditë llogaritet nga shtetasit të huaj, që potencialisht do të blinin në Shqipëri, por furnizohen në hyrje e dale në kufi.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Doganat, konsumi vjetor në Shqipëri i karburanteve është rreth 740 mijë ton në vit, ose rreth 2000 ton në ditë (që me çmimin aktual prej 214 lekë për litër përkthehet në një konsum prej 5.2 milionë euro në ditë).
Nëse çmimet do të ishin në nivele të ngjashme me rajonin, konsumi do të përqendrohej në vend dhe do të rritej me 25-30%, duke arritur afër 1 milion ton në vit. Kjo rritje e konsumit, pa dyshim do të kompensonte gati 70-80% uljen e barrës fiskale mbi naftën dhe do të lehtësonte qytetarët dhe ekonominë jo vetëm nga barra direkte, por dhe nga efekti zinxhir që jep shtrenjtimi i karburanteve në çmimet e produkteve të tjera./Monitor


