Vozitësit në Shqipëri qoftë naftën apo dizelin e paguajnë më çmimin më të kripur nga të gjithë fqinjët e tyre me një standard dhe paga të përafërta apo të krahasueshme njëra me tjetrën
Tregu i derivateve të naftës në Shqipëri rezulton të jetë më i shtrenjti në rajon. Vozitësit në Shqipëri qoftë naftën apo dizelin e paguajnë më çmimin më të kripur nga të gjithë fqinjët e tyre me një standard dhe paga të përafërta apo të krahasueshme njëra me tjetrën. Në fundjavën që lamë pas, kostoja e një litre naftës në Shqipëri, ishte 1.54 euro, ndërsa një litër benzin blihej me 1.52 euro për litër. Maqedonia renditet në mesataren e rajonit me çmimet prej 1.3 dhe 1.12 euro për një litër benzinë dhe naftë. Çmime të ngjashme me Maqedoninë ka edhe Bullgaria me 1.31 euro për litër benzin dhe 1.32 euro për litër naftë.
Nga shtetet e tjera të rajonit, në Bosnje e Hercegovinë çmimet janë afër 1.35 euro për benzinën dhe naftën, ndërsa më të shtrenjta janë në Mal të Zi me 1.58 euro për litër benzin dhe 1.410 për litër naftë.
Në Serbi, çmimet janë afër mesatares malazeze me 1.57 euro për benzinën dhe 1.58 euro për një litër naftë për ngasjen e veturave.
Bile çmimet në Shqipëri janë të përafërta me ato në Austri me një fuqi blerëse disa herë më të lartë dhe me një kosto prej afër 1.6 euro për litër të derivateve të naftës.
Në Kroaci çmimet janë 1.4 dhe 1.3 euro për litër benzin dhe naftë ngjashëm si në Slloveni me një çmime prej 1.4 euro për litër të derivateve të naftës.
Në Zvicër që përskaj Luksemburgut ka standardin më të lartë në Evropë, një litër benzin kushton 1.87 euro, ndërsa në litër naftë kushton 2 euro.
Çmime mjaft të volitshme për vozitësit ka Turqia me 0.95 euro për litër benzinë dhe 0.86 euro për litër naftë.
Nga ana tjetër, çmimet e naftës filluan të stabilizohen pas rritjes së madhe të tyre në vitin 2022 të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Ato janë në rënie që nga fillimi i vitit. Krahasuar me fillimin e vitit, çmimi i fuçisë ra me rreth 12 për qind në tregun e Londrës dhe rreth 11 për qind në tregun amerikan.
Çmimi i fuqisë në tregun e Londrës ra javën e kaluar me 5.3 për qind, në 75.30 dollarë, ndërsa në tregun amerikan çmimi i fuçisë ra me 7.1 për qind, në 71.34 dollarë. Kjo është java e tretë radhazi që çmimet kanë rënë, që nuk është vërejtur që nga nëntori i kaluar, kur në një moment ata ranë në nivelet e tyre më të ulëta që nga fundi i vitit 2001.
Një raport i Bloomberg si kompani prestigjioze për këshillime financiare e 4 majit thekson se çmimet e naftës kanë rënë 14 për qind këtë vit, edhe pse OPEC plus vazhdoi të ulë prodhimin.
Ekonomistët sugjerojnë se frika e recesionit dhe rritja e ngadaltë ekonomike po dëmtojnë kërkesën për naftë. Analistët e tregut vunë në dukje se “shqetësimet për dobësimin e rritjes ekonomike në ekonomitë kryesore kanë bërë presion të mëtejshëm mbi mallrat”.
Tregjet vazhdojnë të përcaktojnë çmimet në një skenar pesimist në të cilin rritja e normave të interesit dhe inflacioni i lartë reduktojnë kërkesën për naftë.
Gjithashtu, çmimet e naftës ranë edhe si pasojë e ankthit mbi perspektivën e rritjes së normave të interesit nga Rezerva Federale, e cila mund të ngadalësojë rritjen dhe të godasë kërkesën për karburant.
Sipas ekspertëve të sektorit, një qëndrim i ashpër i FED mund të ushtrojë presion mbi energjinë dhe metalet.
Gjithashtu tronditje në tregun global të naftës ka shkaktuar edhe frika për ekonominë botërore pas rënies së dy bankave të mëdha amerikane dhe kolapsit të afërt të Credit Suisse, e cila u shmang nga një blerje nga rivali i saj kryesor vendas, UBS.
Nga ana tjetër, Arabia Saudite ka njoftuar për reduktimet vullnetare që do të fillojnë nga maji deri në fund të vitit 2023, duke shtuar se ishte një “masë paraprake” e synuar drejt stabilizimit të tregut të naftës. Reduktime do të ketë edhe nga prodhuesit e tjerë të naftës në gjirin Persik. Ky veprim vjen pas vendimit të Rusisë për të reduktuar prodhimin e naftës me 500 mijë fuçi në ditë deri në fund të vitit 2023.
Sipas analistëve përfshirja e përzgjedhur e anëtarëve më të mëdhenj të OPEC plus sugjeron që respektimi i reduktimeve të prodhimit mund të jetë më i fortë se sa në të kaluarën. Ata argumentojnë se plani i OPEC plus për një ulje të mëtejshme të prodhimit mund t’i shtyjë çmimet e naftës sërish drejt pikës 100 dollarë, duke marrë parasysh rihapjen e Kinës dhe uljet e prodhimit të Rusisë si një veprim hakmarrjeje ndaj sanksioneve perëndimore. Megjithatë, ulja mund të ndryshojë gjithashtu rënien e inflacionit, gjë që do të “komplikonte vendimet për normat e bankave qendrore”. (koha.mk)