Sa janë të dëmshme cigaret elektronike?
Ministria e Shëndetësisë tha se sot në Kosovë vërehet rritje e përdorimit të cigareve elektronike dhe për më keq edhe një reklamim i hapur i tyre.
Ministria e Shëndetësisë thotë se nikotina krijon shumë varshmëri dhe është konstatuar se të miturit që nuk kanë pirë kurrë duhan që përdorin ENDS mund të dyfishojnë mundësinë e tyre për të filluar të pinë cigare më vonë në jetë.
“Sot ka shumë lloje të ndryshme të cigareve elektronike në përdorim, të njohura gjithashtu si sisteme elektronike të shpërndarjes së nikotinës (ENDS) dhe ndonjëherë si sisteme elektronike të shpërndarjes jo-nikotinike (ENNDS). Këto sisteme ngrohin një lëng për të krijuar aerosole që thithen nga përdoruesi. Këto të ashtuquajtura e-lëngje mund të përmbajnë ose jo nikotinë dhe zakonisht përmbajnë aditivë, shije dhe kimikate që mund të jenë toksike për shëndetin e njerëzve.Disa produkte që pretendojnë se janë pa nikotinë (ENNDS), pas hulumtimeve të bëra nga ekspertë të fushës është konstatuar se përmbajnë nikotinë dhe rrjedhimisht edhe janë produkte të duhanit..Konsumimi i nikotinës tek fëmijët dhe adoleshentët ka ndikime të dëmshme në zhvillimin e trurit, duke çuar në pasoja afatgjata për zhvillimin e trurit dhe potencialisht duke çuar në çrregullime të të mësuarit dhe ankthit. Nikotina krijon shumë varshmëri dhe është konstatuar se të miturit që nuk kanë pirë kurrë duhan që përdorin ENDS mund të dyfishojnë mundësinë e tyre për të filluar të pinë cigare më vonë në jetë”, tha MSh.
Prandaj, MSh thekson se përdorimi i ENDS mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe çrregullimeve të mushkërive si dhe ekspozimi i fëmijëve në këso ambientesh paraqet rreziqe serioze.
“Disa studime të fundit sugjerojnë se përdorimi i ENDS mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe çrregullimeve të mushkërive. Ekspozimi ndaj nikotinës tek gratë shtatzëna mund të ketë pasoja të ngjashme për zhvillimin e trurit të fetusit.Përdorimi i ENDS gjithashtu mund t’i ekspozojë jo-duhanpirësit dhe kalimtarët ndaj nikotinës dhe kimikateve të tjera të dëmshme. Sistemet e shpërndarjes elektronik kanë qenë gjithashtu të lidhura me një sërë lëndimesh fizike (per shkak te shperthimit te baterive), duke përfshirë djegiet nga shpërthimet ose keqfunksionimet, kur produktet nuk janë të standardit të pritur ose janë të manipuluara nga përdoruesit. Ekspozimi aksidental i fëmijëve ndaj lëngjeve elektronike ENDS paraqet rreziqe serioze pasi pajisjet mund të rrjedhin ose fëmijët mund të gëlltisin lëngun helmues elektronik”, vijon MSh.
MSh, tregon përbërjen e rrezikshme të cigareve elektronike “këto produkte përgjithësisht përmbajnë Nikotinë, toksikantë, metale te ndryshme, por edhe karcinogjen apo substance që shkaktojnë kancerin”.
“Çdo produkt i duhanit është i ndaluar t’u shitet personave nën 18-vjeç, me Ligjin për Kontrollin e Duhanit dhe kjo ka të bëjë me të gjitha llojet e cigareve dhe produkteve të duhanit”, përfundon MSh.