Ramadan Ramadani
Islami ka dy karakteristika që e veçojnë dhe e bëjnë atë unike në krejt fetë e gjalla në botë. E para është se është e vetmja fe që në tekstin e saj të shenjtë ka argument për universalitetin e vet: Ne nuk të dërguam ty pos si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzit, por shumica e njerëzve nuk dinë. (Kur’ani fisnik 34:28.)
Dhe e dyta se është fe e vetme që në tekstin e saj pretendon përfundimin e profetësisë: Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu është i dijshëm për çdo gjë. (Kur’ani fisnik 33:40.)
Nuk ka tjetër fe, besim, religjion, set ritesh apo sekt që i ka këto dyja në vet tekstin e saj të shenjtë. Ka pretendime që ndiqen dhe besohen si të vërteta për dyja këto karakteristika, por askush pos myslimanëve nuk mund ti argumentojë ato me tekstin e saj të shenjtë. Pra vetëm në Kur’anin fisnik nga krejt qitabet qëndron se islami është për krejt njerëzimin dhe jo vetëm për ndonjë popull dhe se Muhamedi është i dërguari i fundit nga Zoti dhe nuk ka pas tij profet.
E pamë të udhës ta risjellim këtë fakt nga shkenca e historisë komparative të religjioneve për të tërheq vëmendjen në origjinalitetin e islamit si religjion; në universalitet dhe në histori, por edhe për ritheksim se kjo është shkencë në vete që konsiston dije dhe studim e nuk mjaftojnë kërkime interneti për citime në fjalime parazgjedhore politike. Ta përkthejmë në diçka që ka gjasa të kuptohet nga nxënës të dijes fillestare për histori të artit: nuk ka çdo popull Rembrantin e vet dhe as Evropa në pikturën e tij “Rrëmbimi i Evropës” është vetëm ajo figura mitologjike greke.
Vetëm me kërkime të thjeshta interneti shpjegohen kësi budallallëqe të tipit se çdo popull ka pas profet e Skenderbeu është profet i shqiptarëve. Po të përdorej ndonjë AI kërkues të tipit chatgpt do sjellnin përpilime më afër të vërtetës që Skenderbeu është lider politik, ushtarak dhe historik i shqiptarëve e se islami është fe e shumicës së shqiptarëve me gjithë këtë universalitetin dhe finalitetin e vet. Dhe se shqiptarët nuk lejojnë askush tua rrëmbeje as Kur’anin, as fenë islame, por as Evropën, Rembrantin e as Skenderbeun.
Sigurisht se ende nuk ka opcion që sipas pyetësit të përgjigjen këto motoret e kërkimit, me ose pa inteligjencë artificiale pasi sigurisht do ishin përgjigjur se krahasimi më i afërt për tu përdorë për nevoja fjalimi elektoral të një lideri partiak socialist në Shqipëri, në prill të vitit 2025 është ndonjë Koçi Xoxe. Ose pa kërkim të thellësishëm chatgpt-ja do i ishte përgjigjur shkurt: Ç’ne ti me Skenderbeun e pejgamberin, ti fol për enverin!
Ramadan Ramadani, Doktor i shkencave historike dhe teolog – Shkup, Maqedoni e Veriut
14.04.2025 (Shkrimi është ekskluzivisht për Almakos.Com