Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), në bashkëpunim me Institutin Evropian për Paqe, kanë publikuar versionin e draftstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas këtij draftstatuti, Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
I përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, ky draftstatut parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet.
Në kapitullin e parë, neni 1, pika 2, thuhet: “Statuti do të miratohet nga kuvendi themelues i Asociacionit/Bashkësisë i formuar nga anëtarët me votim të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse në përputhje me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të marrë fuqinë e një rregulloreje të Qeverisë sipas sistemit juridik të Kosovës pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”.
Ky draftstatut thekson se Asociacioni do të jetë si person juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës. Më tutje theksohet se Asociacioni/Bashkësia do t’i ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale, raporton “Epoka e re”.