28 Janar
Takimet e kryeministrit grek, Cipras me liderët e partive politike në Greqi nuk kanë sjellë sinjale pozitive, thuhet në analizën e televizionit grek “Antena” për epilogun e konsultimeve rreth çështjes së emrit. Kreu i opozitës Kiriakos Micotakis tashmë hapur u konfrontua me kryeministrin Cipras, ndërsa lideri i Sirizës ka probleme që të sigurojë mbështetje në vetë koalicionin qeverisës. Por, mos-suksesi i parë që të ndërtojë konsensus politik, duket se nuk e ka zmbrapsur Ciprasin, i cili pas takimeve deklaroi:
Premtoj se gjatë viteve të ardhshme do të punoj me përgjegjësi patriotike drejt zgjidhjes së përbashkët…përgjegjësia është e qeverisë greke, por përgjegjësi kam edhe unë që të përmbyll sa më shumë pika konfrontimi dhe të ndërtojmë një dinamikë të re, duke mbajtur rolin kryesues që e kemi në Ballkan -deklaroi Aleksis Cipras, Kryeministër i Greqisë.
Mysafiri i parë i kryeministrit grek ishte kreu i partisë më të madhe opozitare në Greqi, Kiriakos Micotakis. Ai pas takimit tha se: Nuk do t’i ndajmë qytetarët në Greqi që t’i bashkojmë në Shkup”. Më pas ai akuzoi kryeministrin grek se po lëshon pe pa realizuar kundër përfitime. Vërejtje ndaj procesit kishin edhe liderët tjerë, gjegjësisht se patjetër duhet të ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë, ndërsa kritikat shkonin deri atje se kryeministri Cipras është dashur të mbajë konsultime më herët. Por përderisa kritikat e opozitës deri diku janë të kuptueshme, problematik është qëndrimi i partisë në pushtet ANEL. Pritet që kjo parti nesër të prononcohet lidhur me këtë çështje, por anëtarët e saj tashmë deklaruan se nuk do të votojnë emër që përfshin termin “Maqedoni”. Qëndrimi i këtillë është i kundërt me qëndrimin e kolegëve të tyre nga Siriza, ndërsa gjithashtu është jashtë kornizës që e propozon ndërmjetësi Metju Nimic.
Alsat-M

