20 Janar
Në kohën që qeveria greke vazhdon të jetë optimiste për një zgjidhje të mundshme të mosmarrëveshjes me Maqedoninë për çështjen e emrit, opinioni publik në Greqi duket se mendon ndryshe. Kështu, 61% e qytetarëve janë shprehur se çdo formulë për zgjidhje duhet të kalojë më parë në referendum. Shifra rezulton në një sondazh të publikuar të shtunën. Edhe më e madhe, mbi 77%, është pjesa e qytetarëve që refuzojnë ekzistencën e fjalës “Maqedoni” në emrin që do të propozohet për zgjidhje.
Disi më i ekuilibruar është opinioni në çështjen e vazhdimit të negociatave, ku 50% shprehen “pro” dhe pjesa tjetër “kundër”. Qytetarët që mbështesin negociatat mendojnë se ekziston hapësira për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dy palët.
Tendenca e qytetarëve për referendum shkakton kokëçarje për kryeministrin Tsipras, i cili ka mohuar me këmbëngulje një ide të tillë. Por mund të krijojë krisje edhe me aleatin qeveritar, ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos, i cili para një jave u shpreh hapur në favor të referendumit.

