7 Tetor 2018 / 15:47
Ky është objekti i çerdhes “Borëbardha” në Çair të Shkupit ku brenda ditës zhvillohen edhe tre ndërrime të mësimit për nxënësit e klasave të para. Këta të fundit ndonëse janë nxënës të shkollës fillore “Ismail Qemaili” nuk mësojnë në objektin e saj për shkak se shkolla amë nuk ka hapsirë të mjaftueshme dhe të përshtatshme për ta. Numri i filloristëve në objektin e çerdhes arrin thuajse në 40 në secilën prej gjashtë paraleleve kurse edhe numri i fëmijëve të regjistruar në çerdhe është shumë më i lartë nga kapacitet e saj. Zgjidhja e këtij problemi sipas drejoreshes së re të shkollës “Ismail Qemali” është zgjërimi i objektit shkollor edhe me 8 klasë të reja.
Ne kemi ardhë në situatë që të punojmë në tre ndërrime në klasën e parë se i kemi vetëm dy klasa dhe gjashtë paralele. Domethënë, klasat janë mbi 30 nxënës .Visar Ganiu premtoi dhe tha që këtë shkollë e ka prioritet për të ndërtuar edhe tetë klasë në oborrin e shkollës, kështu që paksa do të lirohemi prej një problemi shumë të madh. Mendoj që ato klasa që janë në foshnjore t’i marim t’i bëjmë tre klasë këtu, edhe këtu me ndërrime të punojnë, klasat e tjera t’i shfrytëzojmë për shkarkimin e klasëve që janë me numër të madh të nxënësve”- theksoi Burbuçe Ymeri, drejtore e sh.f “Ismail Qemali”.
Nga Komuna e Çairit kanë njohuri për kaosin në shkollën e lartpërmendur. Thonë se në Ministri të Arsimit tashmë kanë dërguar projektin për zgjerimin e këtij objekti shkollor ndërkohë që punimet ndërtimore pritet të fillojnë në mars të vitit të ardhshme.
Me atë projekt janë të parapara tetë paralele të reja, gjë e cila do të lehtësojë problemin aktual që është me fluksin e madh të nxënësve në këtë shkollë dhe mungesën e hapësirave adekuate për zhvillimin e një mësimi cilësor. Komuna e Çairit pret që me miratimin e projektit ta zgjidhë këtë problem i cili nuk është i shfaqur vetëm gjatë kësaj periudhe po është problem afatgjat në të cilin ka ndikuar edhe shtimi i numrit të popullsisë në komunën e Çairit si komuna më e dendur në Evropë. Pritet që me ndërtim të fillohet gjatë pranverës së vitit të ardhshëm”- tha Kushtrim Alla nga Komuna e Çairit.
Shkolla fillore “Ismail Qemali” në Çair të Shkupit për momentin ka numër rekord të nxënësve krahasuar me kapcitetin e saj. Mësojnë 1.468 nxënës ndërkohë që shkolla ka hapësira për rreth 650 nxënësve. Përveç kësaj, nxënësit e klasave të para përballen edhe me mungesë të mësimit tërëditor. Ata të cilët kanë dy prindërit të angazhuar me punë janë të detyruar që pas përfundimit të turnit mësimor, strehim të kërkojnë në çerdhe duke u shpërndarë nëpër grup-moshat e ndryshme të fëmijëve.
Melihate Rustemi


