Shoqata e çerdheve private „Polet“ i ka propozuar institucioneve shtetërore një projekt për subvencionimin e qëndrimit të fëmijëve në çerdhe private, me qëllim të zgjidhjes së krizës së kapaciteteve në çerdhet publike. Sipas propozimit, 1.260 fëmijë do të përfitojnë nga një voucher mujor prej 250 eurosh, duke përfituar nga shërbimet e 20 çerdheve private të përfshira në projekt. Buxheti total i parashikuar për këtë iniciativë është 3.780.000 euro në vit.
Kjo nismë synon të zgjidhë problemin e listave të gjata të pritjes në çerdhet publike, sidomos në Shkup, ku aktualisht mbi 3.000 fëmijë presin për vend. Një komponentë e rëndësishme e projektit është përfshirja falas e 5-10% të fëmijëve nga kategori të cenueshme, pa asnjë kosto shtesë për prindërit apo shtetin. Kjo synon të garantojë barazi, përfshirje dhe qasje të drejtë për të gjithë fëmijët.
Përfaqësuesja e „Polet“, Biljana Karamanolevska, theksoi se arsimi parashkollor është thelbësor për zhvillimin intelektual, emocional dhe social të fëmijëve, dhe se kjo iniciativë do të ndihmojë në krijimin e një baze të fortë për suksesin e tyre në të ardhmen. Sipas saj, më pak se 30% e fëmijëve të moshës 0-6 vjeç janë të përfshirë aktualisht në edukimin parashkollor – një nivel shumë i ulët në krahasim me vendet e zhvilluara.
Projektin nuk e parashikon ndërtimin e infrastrukturës së re, por shfrytëzimin e kapaciteteve ekzistuese në çerdhet private, duke e bërë atë zgjidhje më të shpejtë dhe më efikase.
Përfaqësuesit e Shoqatës kanë zhvilluar takime me Ministrin për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj, Fatmir Limani, si dhe me përfaqësues të Bankës Botërore dhe UNICEF-it. Megjithatë, nga Ministria u bë e ditur se propozimi ende nuk është dorëzuar në mënyrë zyrtare, dhe aktualisht është vetëm në fazën e diskutimeve.
Ministria theksoi rëndësinë e një qasjeje sistematike për përmirësimin e edukimit të hershëm, përmes rregullimit ligjor, profesionalizimit të stafit dhe mekanizmave të drejtë për mbështetje financiare të çerdheve private. Qëllimi strategjik i përbashkët, sipas tyre, është ndërtimi i një sistemi edukimi të hershëm cilësor, të përfshirë dhe të qasshëm për të gjithë fëmijët.