Nga Cindy Cisneros, USNews
Në pesë vitet e para të jetës, truri i një fëmije formon më shumë se 1 milion lidhje neurale në sekondë, kjo e bën këtë përiudhë më të rëndësishmen përsa i përket zhvillimit neurologjik. Në këtë kohë ngrihen themelet për suksesin e të ardhmes – truri zhvillon kapacitetin social, emocional, fizik dhe konjitiv. Gjenetika dhe eksperiencat luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e hershëm të fëmijës.
Kjo është arsyeja se përse programet e edukimit parashkollor dhe cilësia e mësuesve në këto nivele edukimi është shumë e rëndësishme.
Patja e programeve të cilësisë së lartë varet nga cilësia e forcës së punës. Por kjo fushë vuan nga pagat e ulëta dhe kjo gjë shkakton paqëndrueshmëri të lartë. Pagat e ulëta ulin stimulin që këta mësues të zhvillojnë më tej dijet në zhvillimin e të mësuarit në parashkollor përmes programeve master ose Phd. Pavarësisht rritjeve që janë bërë së fundmi mësuesit prapë kanë vështirësi në përballimin e shpenzimeve të tyre.
Shumë nga mësuesit që kujdesen për fëmijët deri në 5 vjeç punojnë në qendra private të kujdesit për fëmijët. Këto biznese operojnë me një buxhet të ngushtë, i cili përbëhet në pjesën më të madhe nga tarifat që paguajnë prindërit për fëmijët. Është pothuajse e pamundur që të ketë rritje rrogash pa ndërhyrë tek tarifat që paguajnë pridërit, të cilët nga ana tjetër kanë vështirësi në përballimin e shpenzimeve të tyre. Të gjithë e dimë që edukimi cilësor kushton më shumë, por sistemi ynë aktual nuk financohet në mënyrë që të nxisë rritjen e cilësisë.
Zgjidhja e këtij ngërçi është gjetja e burimeve të tjera të financimit, jashtë skemës tradicionale prind – tarifë, dhe zgjerimit të resurseve që mund të përdoren për zhvillimin e programeve me cilësi më të lartë. Në disa shtete, disa drejtues inovativë kanë bërë përpara në këtë fushë duke u nxitur prej ideve të reja dhe qasjeve gjithëpërfshirëse.
Për shembull në shtetin e Luizianës në SHBA, një dekadë më parë u miratua një kredi tatimore e rimbursueshme për drejtuesit e institucioneve të arsimit parashkollor dhe për mësuesit, bazuar në nivelin e tyre të arsimimit dhe certifikimit. Sa më i lartë kualifikimi, aq më e lartë shuma e rimburueshme. Kjo politikë dha efekt sepse mes 2008 dhe 2015 pati një rritje stafi më të kualifikuar me 374%.
Ajo që dimë është se një përkujdesje dhe edukim me standarde të larta është shumë i rëndësishëm për të gjithë fëmijët, por më shumë për ata që vijnë nga familje me të ardhura nën mesataren. Nobelisti në ekonomi, James Heckman, ka përllogaritur se këto programe sjellin një rritje me 13% në vit të investimit (më shumë fëmijë vazhdojnë shkollën, diplomohen dhe punësohen në punë të mirëpaguara).
Gjetja e zgjidhjeve do të ndikonte në rritjen më të shëndetëshme dhe përgatitje për shkollim të fëmijëve. Në thelb të këtyre iniciativave është krijimi i një force punëtore më të pasur në njohuri, kompetenca dhe para. Ajo që na duhet tani është thjesht vullnet për të implementuar zgjidhjet në një shkallë më të gjerë.

