6 Tetor 2018 / 15:31
69 fëmijë kanë qenë viktimë e dhunës familjare edhe atë vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në pesë vitet e fundit ka rritje të numrit të rasteve të dhunës. Në vitin 2014 kishte 131 raste ndërsa në vitin 2017 janë regjistruar 146 raste.
Viti 2014 – 131 raste
Viti 2015 – 142 raste
Viti 2016 – 141 raste
Viti 2017 – 146 raste
Viti 2018( deri në qershor) – 69 raste
Nga Ministria paralajmërojnë reforma në legjislativen e kësaj fushe, ndërkaq aktualisht për mbrojtjen e viktimave Qendra për Punë sociale ndërmerr një sërë masash, si: mbrojtje shëndetësore, intervenim dhe trajtim psiko-fizik, ndihmë familjes për arsim të fëmijës.
Qendra për Punë sociale i ndërmerr këto masa për mbrojtjen e viktimave:Vendosjen në qendër për persona-viktimë të dhunës familjare; Mbrojtje të përshtatshme shëndetësore; Intervenim dhe trajtim të përshtatshëm psiko-social; Trajtim psiko-social në zyrë këshilluese; Ndihmë familjes për arsimim të rregulltë të fëmijës; Ndihmë dhe mbrojtje juridike;Forcim ekonomik të viktimës përmes kyçjes së të njëjtit në tregun e punës.
Psikologja, Edlira Destani dhe përfaqësues i UNICEFIT, Benxhamin Perks vlerësojnë se dhuna dhe neglizhenca e prindërve ndikon në gjithë jetën e fëmijëve, në gjendjen e tyre shëndetësore dhe arsimin, ata më lehtë bëhen të varur dhe përfshihen në krime dhe më e rëndësishmja, e përcjellin dhunën tek fëmijët e tyre.
Janë institucionet arsimore ose edukative, të cilat do të duhet patjetër ta kenë vëmendjen ndaj fëmijëve të tillë psh.një fëmijë në qoftë se është i tërhequr dhe nuk ka qenë i tillë më herët ka një pengesë e cila kryesisht mund të kanalizohet si një pengesë që ka ardhur nga një dhunë, kryesisht familjare. Lëndimet e tilla qoftë fizike, qoftë psiqike që mund të vërehen tek fëmija nga ana e edukatores, e arsimtarëve do të duhet patjetër që të bëhen me dije në institucionet pak më të larta edukativo-arsimore dhe më pas do të duhet të bisedohet patjetër me prindin që të shikohet se a qëndron një gjë e tillë apo jo”- theksoi Edlira Destani, psikologe.
Prindërit e rinj, që janë neglizhuar në fëmijërinë e tyre, nuk dinë se si ta shprehin dashurinë dhe lidhjen ndaj fëmijës së tyre, por kjo mund të zgjidhet me mbështetje të mirë nga motra medicinale që do t’i vizitojnë në shtëpi dhe do t’iu tregojnë prindërve se si të komunikojnë, si të lidhen, si të ndërtojnë një lidhje senzitive me fëmijën e tyre. Kjo tani po praktikohet në shumicën e shteteve të BE-së. Dhe ne po e ndihmojmë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale të zhvillojnë një sistem të ngjashëm këtu”- deklaroi Benxhamin Perks nga UNICEF.
Sipas Perks, edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare, besohet se çdo i dyti fëmijë është viktimë e dhunës familjare, është dëshmitar i dhunës mes prindërve, ndonjë forme të varësisë ose problemeve të tjera mentale në familje.
Anesa Salihu


