Çarshia e Vjetër e Shkupit, e cila për shkak të rëndësisë së saj historike, kulturore dhe arkitekturës autentike është me rëndësi të madhe për Republikën e Maqedonisë, ndërsa nga ana tjetër edhe një destinacion tërheqës për shumë turistë, periudhën e fundit është duke u ballafaquar me problemin e automjeteve të shumta të parkuara në vende të cilat nuk janë caktuar për parkim, raporton Anadolu Agency (AA).
Për shkak të këtij problemi, pronarët e lokaleve të çarshisë, njerëzit që jetojnë atje, si dhe vizitorët vendas dhe të huaj ankohen për hyrjen e automjeteve brenda çarshisë, sepse konsiderojnë se Çarshia e Vjetër e Shkupit nuk është një vend ku mund të hyjnë veturat dhe shumë më pak të uzurpohet hapësira e saj nga ana e veturave të parkuara.
Salih Utaş, i cili me profesionin e tij vepron në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, duke sjellur turistë nga Turqia në vendet e Ballkanit, për AA thotë se gjendja me veturat e parkuara në çarshi i shqetëson turistët që e vizitojnë por edhe vet pronarët e lokaleve të çarshisë.
“Ne jemi tepër të shqetësuar nga kjo gjendje. Ky shqetësim nuk ka të bëjë vetëm me ne, por edhe me sezonin e turizmit që po afrohet. Në asnjë vend të Ballkanit nuk është e lejuar hyrja në çarshi me vetura, përveç disa orëve të caktuara nga tregtarët. Edhe këtu në Shkup nuk është e lejuar, megjithatë nuk janë duke u ndërmarrë masa”, shprehet Utaş për AA.
Artari në Çarshinë e Vjetër, Nexhmedin Bushi, thekson se kjo gjendje me parkimin e veturave brenda çarshisë vazhdon tashmë 2-3 javë, si dhe shton se çdo ditë të re numri i vetura është në rritje.
“Kjo kalldërmë është bërë për të shkelur me këmbë dhe për të qenë shëtitore, por për momentin një ndër pikat e hyrjes së çarshisë ka ndonjë defekt, i cili nuk është sanuar. Njerëzit e keqpërdorin këtë dhe futen me vetura në çarshi, i shqetësojnë njerëzit dhe e ndotin ajrin”, thotë Bushi për AA.
Bushi bën të ditur se autoritetet kompetente nuk janë duke ndërmarrë masa, ndërsa sipas tij, tashmë vet pronarët e lokaleve duhet të ngrenë zërin për të zgjidhur këtë çështje që mos të parkohen veturat në çarshi.
Parkimi i veturave në Çarshinë e Vjetër u pengon edhe kalimtarëve dhe qytetarëve që kalojnë kohën aty. Një ndër ata qytetarë është edhe Sabit Ejupi, i cili thotë se pikë së pari çarshisë i nevojitet një vend për parkimin e veturave, gjë e cila i mungon, ndërsa e dyta, sipas tij, kjo çarshi është lënë pas dore dhe autoriteteve kompetente nuk u intereson gjendja e çarshisë.
“Shteti për Çarshinë e Vjetër aspak nuk interesohet. Ku të shkosh në Evropë, nëse futesh me veturë në çarshi konsiderohesh si i çmendur ose je i huaj”, shprehet Ejupi për AA.
Pronarët e lokaleve të Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe qytetarët e thjeshtë kërkojnë që urgjentisht të rregullohet çështja e parkimit të veturave në çarshi, për shkak se pengojnë kalimtarët, por edhe prishin hijen e çarshisë. Ata theksojnë se hyrja me veturë është e ndaluar me ligj dhe autoritetet kompetente duhet të ndërmarrin masa që mos të shkelet ky ligj.
Powered by WPeMatico

