Bashkëqytetarëve tanë të shtresave më të ulëta sociale dhe grupeve në nevojë për herë të parë pas shumë vitesh u kemi siguruar jetë dinjitoze, tha sot në një konferencë shtypi nënkryetarja e LSDM-së, Milla Carovska.
Ajo shtoi se qeveria e kryesuar nga LSDM-ja tregoi dhe dëshmoi se me vërtetë mban llogari për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht për grupet më të prekura.
“Me të vërtetë më vjen mirë që me përkushtim dhe punë Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me sukses e implementoi reformën sociale. Prej projekteve dhe reformave që i zbatojmë si ministri, dobi të drejtpërdrejtë kanë 300.000 qytetarë. Ky ishte ndër premtimet tona kryesore dhe me të vërtetë jam e lumtur që e kemi plotësuar, që paratë e buxhetit po i kthejmë tek qytetarët. Rezultati i reformës është shumë i rëndësishëm. 30.000 amvisëri ose rreth 120.000 qytetarë për tre muaj marrin asistencë sociale më të lartë mesatarisht për 300%”, tha Carovska.
Për vetëm tre muaj nga zbatimi i reformës,potencoi ajo, shtesa fëmijërore u paguhet 20.230 fëmijëve që është për tri herë më shumë, ndërsa shtesa arsimore 8.681 fëmijëve, që është për tri herë e gjysmë më shumë se paraprakisht. Deri në fund të reformës presim rreth 70.000 fëmijë të pranojnë shtesë fëmijërore dhe arsimore, që do të jetë për 20 herë më shumë se paraprakisht.
Carovska shtoi se për ata që kanë mbetur pa stazh për pensionim ndërsa të cilët e kanë ndërtuar shoqërinë, e kanë vendosur pensionin social në lartësi prej 6.000 denarësh dhe mbi 200 pagesat e para tashmë janë realizuar.
“Qeveria e kryesuar nga LSDM nuk heq dorë as nga rritja e pagës minimale. Paga minimale arriti deri në 12.507 denarë. Për momentin po bëhen përllogaritjet e fundit për vendimin e ri ligjor me të cilin pagat do të vazhdojnë të rriten”, shtoi Carovska në konferencën për shtyp.



