140 punëtorë janë kthyer në vendin e punës pasi janë nxjerrë nga puna padrejtësisht. Kështu bëri të njohur zëvendës kryeministrja për çështje ekonomike Milla Carovska, e cila deklaroi se inspektorati po bënë kontrolle nëpër kompani, për të detektuar ata që po e keqpërdorin krizën dhe masat e Qeverisë. Carovska u kërkon kompanive që t’i përdorin masat ekonomike të ofruara nga Qeveria dhe të mos pushojnë punëtorët.
Milla Carovska, zëvendës kryeministre për çështje ekonomike
“Për ta parandaluar keqpërdorimin edhe të krizës edhe të masave, me të vërtetë është bërë punë intensive nga ana e inspektoratit. Ata kanë realizuar më shumë se 33 000 kontrolle periudhën e kaluar, janë nxjerrë 37 vendime për 28 kompani. Por është me rëndësi të theksohet se 140 të punësuar janë kthyer në punë, të cilët ishin nxjerrë padrejtësisht nga puna periudhën e kaluar”.
Në pres konferencën e përbashkët për shtyp, ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi informoi se për disa ditë do të prezantojnë pakon e masave për arsim. Në të, veç tjerash është paraparë edhe matura shtetërore, nëse ajo do të mbahet në qershor ose nuk do të mbahet aspak.
Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës
“Më duhet të theksoj se mbetet që këto ditë të miratojmë një plan të veçantë për arsimin, i cili duhet të përmbaj një pako masash, ku përfshihet matura shtetërore marrja e vendimit përfundimtar rreth maturës shtetërore, për çka ashtu i kemi të njoftuar ekzistojnë dy opsione. E para, që të zhvillohet në qershor, ose opcioni i dytë i cili po shqyrtohet me seriozitet të lartë është të hiqet ky obligim për gjeneratën e sivjetshme të nxënësve të vitit te fundit të cilët janë në shkollat e mesme”.
Ademi njoftoi se me shumë gjasë edhe regjistrimi fillestarëve do të prolongohet nga muaji maj, në muain qershor. Ministri më tej tregoi se me përkrahjen e Telekomit rreth 30 000 fëmijë që janë nga familjet e rrezikuara sociale janë pajisur me kartela për internet mobil, me kapacitet prej 10 GB, në muaj. Poashtu për ato që nuk kanë asnjë pajisje informatike, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, do të sigurojnë laptope, tablet dhe kompjuterë personal.
Duke folur për pasojat e koronavirusit në vend, zëvendës ministrja e Punës dhe Poitikës Sociale Sanela Shkrijel u shpreh se nuk ka numër të shtuar të denoncimeve për dhunë në familje, por kjo nuk nënkupton se vërtetë numri nuk është shtuar, pasi siç shtoi viktimat shpesh nuk e denoncojnë dhunën e ushtruar.
Sanela Shkrijel, zv /ministre e Punës dhe Poitikës Sociale
“Nuk mund të them se kemi numër më të shtuar të denoncimeve. Mirëpo dua të sqaroj se numri nuk është në rritje. Ajo me të cilën përballemi që është dhuna në familje edhe në kushte normale, e posaçërisht në këtë gjendje, është se numri i rasteve të dhunës në familje edhe pse nuk denoncohen është gjithmonë shumë më i madh nga ajo që denoncohet. Të gjithë ata që përballen me dhunë, nuk janë të sigurt se institucionet do të veprojnë”.
Ndërkaq, ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë njoftoi bujqit se do të prolongohet afati i pagesës për qeranë vjetore për pronën shtetërore, deri më 12 nëntor 2020.



