Grupi i përbërë nga 20 zyrtarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, në mesin e të cilëve edhe dy deputetë dhe kryetarë komune, që gjatë vikendit i ka dërguar letër kryetarit të partisë, Ali Ahmeti, për të vepruar në drejtim të çlirimit të partisë nga individë të caktuar, të hënën nuk ka dashur të përgjigjet se cilët do të jenë hapat e mëtejmë të tyre.
“Ne nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona, sepse nuk do të bëjmë kompromis me zgjedhjen demokratike të organeve të partisë, si shtyllë bazë mbi të cilën ndërtohet zhvillimi subjekteve politike në çdo vend me demokraci të zhvilluar”, ka thënë shkurt për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti një nga 20 të nënshkruarit.
Të shtunën grupi prej 20 zyrtarëve të lartë të BDI-së, parti kjo e cila ka dalë nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare pas konfliktit të vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut, e që për gati dy dekada është pjesë e pushtetit, të shtunën i kanë dërguar një letër liderit të kësaj partie duke kërkuar, siç kanë theksuar “kthimin e BDI-së në misionin e nisur 18 vjet më parë”.
“Në BDI gati për dy vite nuk ekzistojnë dhe nuk themelohen organet statutare partiake! Si pasojë e kësaj, vendimmarrja politike është bërë pronë individuale! Nuk ka debat dhe konsultime me bazat partiake! Zgjedhjet kadrovike janë shndërruar në privilegje të individit Artan Grubi! Nuk ka llogaridhënie për punën e Qeverisë dhe programin politik për gati dy vjet”, thuhet veç tjerash në këtë letër.
Aty po ashtu i kërkohet kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, që të shfrytëzojë autoritetin e vet politik dhe statutar për gjetjen e një zgjidhjeje për ruajtjen e unitetit partiak.
Por, Ahmeti ka thënë se partia e tij ka ngritur struktura të qëndrueshme me bazë të fortë.
“Shumica e BDI-së që nuk është anarki, do rregull, do debat të qetë dhe shkencor. Dhe, për këtë debati është i hapur, institucionet janë të gjitha funksionale dhe do të punojmë e veprojmë sipas agjendave të përcaktuara”, ka deklaruar Ahmeti, një ditë pasi ka marrë letrën e grupit të pakënaqur.
Ahmeti ka qenë i prerë se Bashkimi Demokratik për Integrim mundet pa këdo qoftë.
“Bashkimi Demokratik për Integrim ka ngritur struktura të qëndrueshme që mund të funksionojnë pa Ali Ahmetin, pa Blerim Bexhetin, pa Musa Xhaferin, pa Izet Mexhitin. Do të thotë ky është investim kombëtar dhe ky investim kombëtar ka bazë të fortë dhe përkrahje të fortë”, ka thënë Ahmeti.



