Ditën e hënë do të votohet buxheti i Komunës së Gostivarit. Kështu thonë përmes një njoftimi nga ana e BDI-së, Dega Gostivar, përcjell FLAKA.
Më tej në njoftim thuhet se kryetari i Komunës së Gostivarit vazhdon të shkel ligjet duke vepruar kokë në vete dhe jashtë dispozitave ligjore.
“Nga mosdija, mospasja e përvojës institucionale apo me tendencë, veprimet e Taravarit bien ndesh me rregullat ligjore. Kujtojmë Taravarin që propozim buxheti i Komunës së Gostivarit ka hyrë në rend dite të seancës së tretë të Këshillit komunal dhe është aprovuar nga shumica e këshilltarëve. Andaj, e njëjta pikë e rendit të ditës nuk mund të tërhiqet pa kaluar paraprakisht në votim nga ana e këshilltarëve”, thuhet në njoftimin e BDI-së, Dega në Gostivar.
Nga aty sqarojnë se duhet njoftuar qytetarët e Gostivarit që buxheti i propozuar nga ana e Kryetari i komunës së Gostivarit, edhe pse aspak joproduktiv dhe me defekte të shumta, do të votohet gjatë vijimit të seancës që do të thirret për ditën e hënë.
“Shumicia e këshilltarëve nga BDI, LSDM, RDK dhe këshilltari i komunitetit romë në krye me kryesuesin e Këshillit komunal, z. Nasir Musliu, kanë votat e mjaftueshme për miratimin e propozim buxhetit komunal. Në vazhdimin e seancës që u mbajt ditën e mërkurë, u pa publikisht që është Taravari ai që tenton të bllokon miratimin e buxhetit të propozuar nga ana e tij, me të vetmin qëllim për të mbuluar paaftësitë e tij për të menaxhuar me komunën e Gostivarit”, vijon njoftimi.
Nga BDI – Dega në Gostivar ripërsërisin, siç thonë, qëndrimin që buxheti do të votohet në të mirë të qytetarëve dhe administratës komunale.
“Buxheti do të miratohet me qëllim që të punësuarit të marrin rrogat e tyre në përputhje me ligjin. Do të miratohet i tërë buxheti i propozuar nga ana e Kryetarit të komunës, në përjashtim të pozocionit buxhetor ku parashikohen mjete financiare për të punësuarit me kontrata të përkohshme të kryera jashtë normave ligjore”, lexohet në fund të njoftimit. FLAKA