23 April
Tërë jeta e paketuar në dy qese najloni. Petica Putevski me mosbesim sheh sesi një investitor privat po rrënon një pjesë të ish barakave të komunës Butel, ku ai si i pastrehë jetonte 5 vite. Putevski nuk ka as dokumente e as para. Ai thotë se natën do ta kalojë në park.
Kush brengoset? A mendon dikush në këtë shtet për ne? Shikoni tash. Kush ndihmon? Askush. Secili kujdeset për kolltukun dhe pushtetin. Kush brengoset për këtë mjerim. Askush. Ky është shteti jonë – u shpreh Petica Putevski, i pastrehë.
Tokën në të cilën ndodhen barakat kohë më parë e bleu një kompani private e cila jozyrtarisht do të ndërtojë qendër tregtare. Edhe pse 40 rasteve sociale që ishin strehuar këtu iu premtua se mund të qëndrojnë deri të martën, ata sot u zgjuan nga zhurma e ekskavatorëve që pastronin terrenin. Një pjesë e familjeve arritën të strehohen në barakat aty afër, të cilat ende figurojnë si tokë shtetërore, edhe pse edhe ata druajnë për fatin e tyre.
Nuk e dimë deri kur, por mendojmë se do ta rrënojnë edhe këtë. Nuk dihet. Më andej nuk e di se çfarë do bëjmë – tha Firdes Isenovska, rast social.
Në ish barakat e komunës në Butel janë vendosur dhjetëra familje sociale. Disa prej tyre janë solidarizuar dhe ndajnë një dhomë. Nga komuna Butel dhe Ministria e Punës e Politikës Sociale, dy ditë me radhë nuk ka asnjë reagim ndaj thirrjeve të gazetarëve, as dikush nga kompetentët nuk i ka vizituar njerëzit që gjenden në këto baraka të improvizuara.
Alsat-M