Alsat 2019-09-30T15:27:11+02:00
Dy javë para Këshillit të ministrave të BE-së ku Maqedonia e Veriut pret datë për fillimin e bisedimeve me BE-në, Bullgaria ka dalë me “linjat e saja të kuqe”. Pas takimit me krerët shtetëror bullgar për politikën e Maqedonisë së Veriut, presidenti Rumen Radev shprehet se nevojitet aksion urgjent për ndërtimin e qëndrimit kombëtar për raportet me Maqedoninë e Veriut dhe anëtarësimin e saj në BE. Radev shton se në takim, Qeveria është obliguar të formulojë kritere të qarta që Shkupi duhet patjetër t’i përmbush, para se të fillojë procesi negociator me BE-në.
Fokus i veçantë duhet të vihet mbi planet arsimore, tekstet e librave, mbishkrimet nëpër muzetë si dhe pozicionet e mediave publike. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohen të ashtuquajturat “linjat e kuqe” të cilat duhet të sigurojnë se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut nuk është në dëm të përdorimit të historisë, gjuhës dhe identitetit bullgar si monedhë- tha Rumen Radev.
Kryeministri Bojko Borisov u shpreh se nëse Bullgaria e ndalon Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së, atëherë kjo do të ishte precedencë në histori, sepse nuk ka popull më të afërt sesa populli maqedonas.
Pozicioni jonë prej ditës së parë e deri më tani është i qartë. Është shumë e rëndësishme të pranohen në BE, por edhe më e rëndësishme është të kuptojnë se varet prej nesh. Nuk do të mundet në kurrizin tonë të ndodhë kjo, duke e shqyrtuar historinë. Për këtë, ne ia kemi dhënë të drejtat tona Komisionit dhe sa më shpejtë të merren vesh, atëherë dakord, e nëse jo, do të presim t’i shohim reagimet e tyre. Le të jenë të guximshëm. Vendi i Maqedonisë së Veriut dhe njerëzve atje është në BE. Të mos e lëshojnë këtë rast- deklaroi Bojko Borisov- kryeministër i Bullgarisë.
Sofja duhet të votojë “PËR”, tha Ministrja e Jashtme Ekaterina Zhararieva, por theksoi se mbështetja për Marrëveshjen mund të ndryshojë gjatë negociatave për kapitujt e ndarë.
Nevojitet progres në punën e komisionit, por jo vetëm në letër, por edhe një ndryshim i vërtetë në librat shkollorë dhe “ndërprerjen e armiqësive” nga ana e Shkupit. Bullgaria gjithmonë e ka mbështetur perspektivën e Ballkanit Perëndimor, por do të kërkohet një kornizë horizontale dhe nuk do të lejohet përparim në secilin kapitull nëse nuk zbatohet Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë- tha Ekaterina Zaharieva, Ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
Ministri bullgar i mbrojtjes Krasimir Karakaçanov, i cili e filloi takimin, tha se “koha e dorëzimit të topit ka mbaruar. Pas deklaratave të tilla nga Sofja, kryeministri Zaev thotë se nuk ka nevojë për shqetësim sepse komisionet po punojnë edhe pala maqedonase edhe ajo bullgare do të gjejnë një zgjidhje. Deri më tani janë zgjidhur 4 periudha të caktuara historike dhe 7 figura të rëndësishëm.
Faktet dhe e vërteta që ekzistojnë janë të njëjta. Ne bëjmë thirrje për një zgjidhje. Nuk besoj se është mjaftueshëm të ketë vullnet vetëm nga ana jonë, por edhe nga ana e Bullgarisë. Unë mendoj se është e mundur të gjendet një zgjidhje e shpejtë dhe ndonjëherë ne politikanët duhet t’i lëmë gjërat tek ekspertët- tha Zoran Zaev.
Bisedimet e Maqedonisë së Veriut me Komisionin Bullgar për Faktet Historike ngecën në rolin historik të Goce Dellçevit dhe prejardhjen e tij.
Vesna Velkova
Loading…




