“Jeni rrëmujë ju djema. Një rrëmujë e madhe dhe jeni një turp që një vend i NATO-s, kidnapon dy vende tjera të NATO-s”
Ky fjalor i kryeministrit shqiptar Edi Rama në Bruksel ka ngjallur reagimin e ministrisë së Jashtme bullgare. Nga atje kërkojnë që kryeministri shqiptar të rregullojë komunikimin!
Shumë shpejtë erdhi dhe përgjigja e Ramës, i cili përmes tuiterit kërkoi që bullgarët ose ta heqin veton ose ta durojnë fjalorin e tij.
“Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka problem me mënyrën time të të folurit. E drejtë. Edhe unë kam një problem me mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet dypalëshe duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për të marrë peng dy vende të NATO-s. Qetësohuni miq: Hiqni veton, ose më duroni”, shkroi Edi Rama – kryeministër i Shqipërisë.
Ndryshe Rama dje pas zyrtarizimit të vendimit për të mos marrë një datë për negociatat, aspak nuk ka kursyer kritikat edhe ndaj BE-së. Ai tha se Bashkimi Evropian është shndërruar në një realitet qesharak pasi shtetet më të fuqishme të botës kanë ngrirë për shkak të problemeve të një tjetër vendi.