Kandidati për kryetar të komunës së Çairit dhe nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani, ka deklaruar se zgjedhjet lokale të ardhshme në Maqedoninë e Veriut nuk do të jenë thjesht një proces elektoral, por do të shërbejnë si një referendum për të gjithë shqiptarët në vend.
Në një intervistë për Euronews Albania, Osmani theksoi se shqiptarët po përballen me një model të mirëorganizuar politik që synon të zhbëjë identitetin e tyre, fituar sipas tij përmes Marrëveshjes së vitit 2001.
“Në zgjedhjet e ardhshme përkundër dëshirës tonë, nuk do të jenë zgjedhje normale lokale por do të jenë referendum në fakt. Nga ana tjetër përkundër normalizimit të konceptit të përjashtimit, nënshtrimit, margjinalizimit të shqiptarëve në Maqedoni e Veriut, duhet thënë po instalohet një model që është i mirëmenduar për ta zhbërë identitetin tonë që e kemi fituar me anë të marrëveshjes në 2001,”- tha Osmani.
Ai shtoi se kjo strategji është planifikuar prej kohësh dhe po zbatohet në mënyrë të qëllimshme gjatë këtij viti.
“Është një pjesë strategjike e mirëmenduar e cila po implemtohet gjatë këtij viti. Shqiptarët atje janë të irituar tej mase dhe mezi presin që të ndodhin këto zgjedhje për t’i thënë ‘jo’ kësaj qasje të qeverisë ndaj pozicionit shqiptar atje.”-tha Osmani.
Osmani theksoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë bërë bashkë si asnjëherë më parë dhe janë të vendosur për të mos pranuar asgjë më pak sesa ajo që është rënë dakord më parë në nivel politik dhe institucional.
“Do të thotë, do të jetë referendum dhe shqiptarët janë bërë bashkë si asnjëherë më parë. Keni partitë më të mëdha shqiptare që janë bërë në një koalicion të madh. Në Maqedoninë e Veriut është shumë e rrezikshme dhe asnjëherë nuk ka qenë preferenca jonë që debati zgjedhor të bëhet edhe debat teknik. Por kur preken vijat e kuqe, ne bëhemi bashkë edhe themi ‘jo’, duke thënë se nuk pranojmë asgjë më pak nga ajo që jemi marrë vesh.”-tha Osmani.
Në pjesën e fundit të deklaratës së tij, Osmani foli edhe për vizionin që ai synon të sjellë për komunën e Çairit, një nga zonat më të populluara nga shqiptarët në Shkup.
“Edhe e dyta, përsa i përket kandidaturës në komunën e Çairit, ku për ata 10-tra mijë njerëz duhet të krijohet një vizion i qartë, të cilët kanë vendosur të rrinë atje dhe përkundër kushteve të papërballueshme.”- përfundoi kandidati i BDI-së.