Kandidati i AKI për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, zhvilloi një takim me Shoqatën Turke “Köprü” në këtë komunë, ku shpalosi vizionin e tij për një Çair të barabartë, gjithëpërfshirës dhe multietnik.
Në këtë vizitë, ai shoqërohej nga Skender Rexhepi – Zejd, kandidat për Kryetar të Qytetit të Shkupit, Abdul Selam Selami, bartës i listës për Këshillin e Qytetit të Shkupit, dhe Kemal Matoshi, bartës i listës për Këshillin e Komunës së Çairit.
Osmani shprehu mirënjohje të veçantë për mikpritjen dhe angazhimin e kryetarit të shoqatës “Köprü”, z. Husref Emin, duke vlerësuar rolin historik të kësaj organizate në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit turk në Çair.
Shkrimi i plotë i Osmanit në vijim:
Sot, së bashku me Skender Rexhepi Zejd, kandidat për Kryetar të Qytetit të Shkupit, Abdul Selam Selamin, bartës të listës sonë për Këshillin e Qytetit të Shkupit, dhe Kemal Matoshin, bartës të listës sonë për Këshillin e Komunës së Çairit, vizituam Shoqatën Turke “Köprü” në Çair, një nga organizatat më të vjetra dhe më të përkushtuara në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit turk në komunën tonë.
Shpreh mirënjohje të veçantë për kryetarin e shoqatës, z. Husref Emin, për mikpritjen dhe për organizimin e këtij takimi frytdhënës.
Folëm për vizionin tonë për një Çair të barabartë, multietnik dhe gjithëpërfshirës, ku secili komunitet gëzon respekt të plotë për gjuhën, flamurin dhe përfaqësimin e tij të drejtë. Komuniteti turk është dhe do të mbetet një shtyllë e rëndësishme e historisë, kulturës dhe zhvillimit të Çairit.
Në një kohë kur në nivel kombëtar po vihet në pikëpyetje fryma e Marrëveshjes së Ohrit, ne në Çair do ta ruajmë dhe mbrojmë këtë frymë – duke e kthyer komunën tonë në shembull të bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, derisa të krijohen kushtet për ta rikthyer plotësisht edhe në nivel shtetëror.
Për këtë arsye, do të themelojmë Departamentin për Gjuhën, arsimin dhe kulturën turke dhe do të krijojmë Fondin për Përfaqësim të Drejtë, si dhe do të ndërtojmë Shtëpinë e Diversitetit Kulturor, si simbole konkrete të një Çairi që respekton dhe bashkon.
Çairi do të jetë shtëpi për të gjithë dhe me të gjithë do ta ndërtojmë kapitullin e tij të ri!