Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Çairit, Bujar Osmani në fjalën e tij sonte para çairasve, ku i pranishëm ishte edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe eksponentë tjerë të AKI-së, përgëzoi idenë e bashkimit të shqiptarëve në një aleancë.
“Këtu po krijohet një lëvizje popullore-shoqërore e rezistencës dhe e shpresës. Njerëzit nuk kërkojnë zëvendësimin e një funksionari me një tjetër. Njerëzit duan të ndryshohet kultura e qeverisjes, të marrë fund uzurpimi, korrupsioni, dembelizmi. Nëse kam kapital politik, ai është integriteti. As si kirurg, as si politikan, nuk kam lejuar askënd të drejtojë gishtin drejt meje. Ky është pasuria ime më e madhe që po jua ofroj. Mos ndaloni. Trokitja në dyer, bisedat, mbështetja, e gjithë kjo është pjesë e kauzës sonë të përbashkët. Drejtësia është në anën tonë”