Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sonte drejtoi kritika të ashpra ndaj kundërkandidatit të tij, duke e akuzuar se po përpiqet të rikthehet në Çair, jo sepse ka vizion, por sepse ndodhet në një “rrezik politik”.
“Nuk mund të jesh 20 vjet kryetar i një komune pa vizion, pastaj ta braktisësh dhe të shkosh në një tjetër, e më pas të rikthehesh vetëm pse je në rrezik politik. Kjo është fyese”, deklaroi Osmani.
Ai parashtroi pyetje që, sipas tij, sot i bën çdo banor i Çairit.
“Pyetja e parë është: kush e la Çairin në këtë gjendje? Pse e braktise? Pse nuk jeton këtu, ku fëmijët e tu ecin nëpër rrugë me pluhur, shkojnë në shkolla ku u shtrembërohet shtylla kurrizore, ngasin trotinetë dhe përfundojnë në spital për shkak të mungesës së infrastrukturës?”, theksoi Osmani.
Osmani e përshkroi gjendjen e rëndë me të cilën përballen qytetarët: nuk ka trotuare të lira, nuk ka shenja komunikacioni, nuk ka vija të bardha nëpër rrugë. “Shkoni në Karposh dhe shihni dallimin”, tha ai, duke shtuar se Çairi nuk duhet të trajtohet si komunë dytësore, por duhet të ketë kushte të barabarta me qendrën e Shkupit dhe me standardet evropiane.
Ai vuri në pah edhe pasojat serioze shëndetësore të neglizhencës.
“A lahen rrugët me ujë? Nëse një ditë kryetari i komunës nuk del në punë dhe nuk lahet një rrugë, pas disa vitesh disa fëmijë do të përfundojnë me sëmundje kronike”, tha Osmani.
Si zgjidhje, Osmani paralajmëroi krijimin e një ndërmarrjeje të re publike për higjienë komunale në Çair, institucion që do t’ia kthejë pastërtinë komunës dhe do ta ndërpresë praktikën e kontratave fiktive.
“Jo si tani me punëtorë sezonalë, që shpesh janë vetëm kontrata fiktive për aktivistë partiakë. Ekzistojnë 720 kontrata fiktive, që kushtojnë 350.000 euro në muaj. Para që mund të shndërrohen në rrugë, parqe, kushte më të mira për jetë”, tha Osmani.
Në fund, Osmani u bëri apel qytetarëve.
“Prandaj, funksioni i kryetarit të komunës nuk është punë që duhet nënçmuar. Kur të dilni para kutisë së votimit, ndaluni 5 minuta. Harroni se nga cila parti politike është kandidati. Mendoni për fëmijët tuaj, për jetën tuaj, për atë se kujt ia lini amanet tatimet tuaja. Integriteti është kapitali im më i madh politik. Prej 20 vitesh jam mjek, 20 vjet politikan, pa keqpërdorur asnjë cent. Dhe me këtë kapital moral kërkoj besimin tuaj”, përfundoi ai.