Përfaqësuesit shtetërorë nga Maqedonia janë takuar sot në Bruksel me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në kuadër të mbledhjes së trembëdhjetë të Këshillit për Stabilizim-Asociim. Në një komunikatë pës mbledhjes është theksuar nevoja që të kërkohet përgjegjësi për aferat e përgjimeve e sulmet në Kuvend më 27 prill. Gjithashtu kërkohet të sigurohet pavarësi gjyqësore, liri e mediave, liri e të shprehurit, respektim i të drejtave të njeriut dhe reformat në administratën publike.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini në konferencën për shtyp pas mbledhjes ka thënë se BE i ka qëndruar pranë Maqedonisë në periudhën e vështirë që e ka kaluar dhe po e kalon.
Mogerini ka theksaur se marrëveshja me Bullgarinë sot është në diskutim në Parlamentin e Maqedonisë dhe se BE-ja këtë e përshëndet.
Ajo gjithashtu e përshëndet edhe frymën e angazhimit të ri që e tregon Qeveria e re me planin “3-6-9”.
Komisari për Negociata për Zgjerim Johanes Han shtoi se Komisioni është i gatshëm të ndihmojë, për çfarë tashmë ka ekip të ekspertëve të lartë në krye me Рajnhard Pribe, i cili është në Maqedoni dhe mban takime, ndërsa me qëllim të përcjelljes së rekomandimeve nga viti 2015, duke i shqyrtuar në kontekstin aktual. Zëvendëskryeministri Bujar Osmani theksoi se pas një viti ndërprerje të mbajtjes të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim të Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë, për shkak të krizës së rëndë politike në vend, se kjo është shenjë e mirë se vendi kthehet në rrugën drejt eurointegrimeve.
Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov theksoi se në Këshillin e sotëm është biseduar për marrëdhëniet reciproke dhe u konstatua bashkëpunimi i hapur dhe konstruktiv në frymën e respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.

