Në ambientet e “INNOX Qendra Inovative”u realizua me sukses Bootcamp-i dyditor i programit ndërkombëtar “Bridge2Balkan”, i organizuar në bashkëpunim me “Dijitalpark Teknokent” dhe “B-Connector”.
Programi mblodhi startup-e, sipërmarrës, mentorë dhe përfaqësues të ekosistemit të inovacionit nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Turqisë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimin e sipërmarrjes inovative.
Gjatë dy ditëve intensive të bootcamp-it, pjesëmarrësit punuan në zhvillimin e modeleve të biznesit, validimin e ideve, përgatitjen e pitch deck-ut dhe strategjitë për prezantim para investitorëve dhe partnerëve potencialë. Programi u karakterizua nga energji e lartë, networking aktiv dhe mentorim profesional.
Në përfundim të bootcamp-it, 10 startup-e u përzgjodhën për të vazhduar në fazën e ardhshme të programit dhe për të marrë pjesë në “Demo Day”, ku do të prezantojnë zyrtarisht projektet dhe zgjidhjet e tyre inovative para përfaqësuesve të ekosistemit të biznesit, investitorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Mentorimi gjatë programit u mbështet nga ekspertë dhe përfaqësues të ekosistemit ndërkombëtar të inovacionit, ndërsa organizatorët theksuan se Bridge2Balkan synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet ekosistemeve të startup-eve në Ballkan dhe Turqi.









