Ali Maksuti
Në të njejtën kohë kur Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë po mbanin takimet e rregullta vjetore , në ndërkohë dhe paralele në një qytet të infuencës Ruse, pra në Kazan, Rusia po tenton të rritë impaktin maksimal në ekonominë botërore dhe të zgjerojë influencën politike me 40% të popullsisë së botës nëpërmjet organizimit politik BRICS dhe për të kontrolluar 1/3 e pasurisë ekomike të globit. Ideja për t’iu përballuar ndikimeve të forcave politike perëndimore, të organizuara në formatin G-7, ose ndikimit të Këshillit të Sigurimit , ku ndikimi politik është më i madh nga përfaqësues perëndimorë, Rusia nga ana tjetër , nëpërmjet BRICS, po bën lëvizjet e fundit diplomatike për tiu kundërvënë influencës perëndimore, si në aspekt politik edhe atë ekonomik. BRICS i përbërë nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, këtë rradhe po bën plane për zgjerim, duke ofruar Egjiptin, Etiopinë, Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por një derë çelë edhe për Arabinë Saudite dhe Turqinë – shtet i parë i NATO-s me pjesëmarrje në BRICS, po artikulon idenë e një kundërpeshe më të fortë anti perëndimore. Ky zgjerim i BRICS, po bën tentativat e një alternative për krijimin e një statusi të rij ekonomiko-politik në botë, përkundër aleatëve të G-7 që tentojnë të ruajnë statusin aktual ekonomik dhe politik në arenën ndërkombëtare. Dhe arsyeja pse ky organizim politik po zgjerohet , sepse është theksuar nga shumë shtete pjesëmarrëse, infrastuktura aktuale institicionale botërore e dominuar nga Perëndimi nuk ka sjellë paqe dhe pasuri për të gjithë,dhe pjesa e shteteve në zhvillim, mbeten prapa dhe duke u thelluar më tej në varfëri. Nga këtu buron edhe teza kryesore e këtij takimi dhe që mbrohej nga të gjithë pjesëmarrësit në takim. Por, lind një pyetje hezituese për qëndrueshmërinë e këtij organizimi dhe zgjerimi, nga ky grupacion ekonomik dhe politik, ku paraqiten rival historik dhe aktual Kina dhe India, Arabia Saudite dhe Irani, Turqia dhe Arabia Saudite, sa do të jetë afatgjate dhe sa do të jetë ndikimi pozitiv në rrjedhat globale për paqe dhe stabilitet, sepse afërsia e rivalave shpesh përfundon me luftëra të reja.
Vendimet ekonomike nga takimi BRICS dhe sfidat
Në takimin e mbjatur në Kazan, u morën disa vendime të rëndësishme për anëtarët e BRICS, ku fokus dhe një nga objektivat kryesore ishte forcimi i multilateralizmit për një zhvillim më të barabartë global, në përputhje me moton e presidencës ruse. Gjithashtu, në këtë samit u veçua rëndësia e bashkëpunimit ekonomik dhe financiar ndërmjet anëtarëve të BRICS, me veçanti ishte përdorimi i monedhave kombëtare në tregtinë ndërkombëtare , sigurimin ushqimor dhe energjetikën, por edhe problematika e themelimit të një unioni monterë dhe bankës së BRICS.
Pasi qëllimi më i rëndësishëm financiar ishte përdorimi i monedhave kombëtare në trasaksionet ndërkombëtare të bizneseve dhe eliminimi i përdorimit të dollarit amerikan dhe euro të eurozonës, ka patur edhe reagime nga SHBA dhe anëtërët e BE-së. Ky veprim synon të zvogëlojë varësinë nga dollari amerikan, me përpjekjet për të krijuar një sistem të pavarur pagesash BRICS dhe për të promovuar monedhat kombëtare në transaksionet financiare. Sistemi i propozuar do të lehtësonte tregtinë më të qetë dhe do të reduktonte cënueshmërinë ndaj sanksioneve perëndimore, veçanërisht për anëtarët si Rusia dhe Kina.
Nga ana tjetër do të krijonte premisat e integrimit të të gjitha vendeve pjesëmarrëse në një treg unik ku vlera e monedhës lokale shndërrohet në mjet pagese ndërkombëtare brenda BRICS-it. Për të realizuar këtë u hodh ideja nga Kina që të krijohej një platformë ndërkombëtare nga të gjitha shtetet jo vetëm për të lehtësuar pagesat me monedhë vendase, por edhe për të ulur shumë kostot e pagesave në funksion të konkurrencialitetit. Pas idesë së Kinës për të përdorur monedhat kombëtare për transaksionet ndërkombëtare, Rusia propozon idenë e një monedhe të përbashkët të format të euro-zonës, ku shtetet anëtarë do të përdornin, por mbetet si një projekt me afat gjatë të krijimit të një monedhe të përbashkët, sepse, para se të vijë deri tek kjo situatë, vendet anëtare iu duhet një dakordim dhe riorganizim i sistemeve fiskale brenda vendeve, përshtatje të politikave ekonomike dhe mbi të gjitha i një procesi graduar i shkrirjes së monedhave kombëtare të të gjithë anëtarëve. Analistët ekonomik dhe specialist dhanë një ide për krijimin e platformave të pagesave ndërkombëtare me një monedhe digjitale që do të ekuivvalonte të gjithë monedhat lokale , por prap problematika tjetër që do të paraqitet është garancia e flukseve të padëshiruara të monedhave lokale dhe kurset e tyre të këmbimit, dhe si alternativë është dhënë që të krijohet një format i fondeve të reja që do të luaj një rol zëvendësues të FMN-së në kuadër të Bankës së BRICS e cila do të luaj rolin e Bankës Botërore, pra e gjithe skema të jetë nje paralele forcave politike dhe ekonomike në rendin global.
Banka BRICS, e njohur zyrtarisht si Banka e Re për Zhvillim (NDB), mund të luante një rol të rëndësishëm në reduktimin e luhatjeve të kursit të këmbimit midis vendeve anëtare të bllokut. Një nga qëllimet e saj është të promovojë një stabilitet më të madh financiar midis anëtarëve duke financuar projekte në monedha vendase, në vend të dollarëve ose eurove, gjë që do të reduktonte ekspozimin e vendeve ndaj luhatjeve të dollarit amerikan. Disa nga mënyrat se si Banka BRICS mund të ndihmojë në zbutjen e luhatjeve të kursit të këmbimit përfshijnë financimin e monedhës vendase, krijimin e rezervave të përbashkëta valutore, blloku ka diskutuar krijimin e platformave të pagesave që lehtësojnë tregtinë midis vendeve të BRICS pa pasur nevojë të kalojnë monedhat kryesore si dollari dhe element i tretë ekonomik ekonomik që u diskutua në mbledhjen e fundit të BRICS ishte zhvillimi ekonomik rajonal. Për të përforcuar rolin e jugut në tregtinë botërore Kina u mundua të krijojë një treg rajonal brenda BRICS-it pa barriera për të rritur si shkëmbimet tregtare midis anëtarëve, por edhe lëvizjen e kapitaleve. Kjo ndeshi deri diku mosaprovimin e Indisë që kërkonte ripozicionimin e saj jo vetëm vendeve të BRICS-it, por edhe në tregun global botëror. Raportet e këtij organizmi me OBT-në mbeten ende të pa diskutuara aq sa duhet dhe ju lanë pjesës së diskutimeve teknike për të realizuar një relacion informativ për mbledhjen e ardhshme.
Përfitimet politike të Rusisë dhe Kinës
Pasi ideja e BRICS në fillim ishte politike dhe zgjerimi i saj në këtë samit ishte më tepër ekonomik dhe financiar, prap mbetet ideja që BRICS po shfrytëzohet nga Rusia për të tejkaluar izolimin ndërkombëtarë dhe Kina për të depërtuar në tregje të reja në Jug të globit dhe të dy këto shtete të rrisini influencës ekonomike dhe politike në vendet ku më parë i kanë patur dhe i kanë humbur. Rikthimi i ndikimit politik dhe ekonomik , në këtë format duket si i mundshëm por i largët. Edhe reagimet nga SHBA dhe shtetet tjera të BE-së po ndajnë të njejtin qëndrim në lidhje me ecurinë e politikave të Rusisë dhe Kinës, që po përdorin situatat e caktuara në botë dhe imponomin ekonomik e përdorin si zgjidhje. Megjithatë, analistët ekomik dhe politik perëndimorë argumentojnë se një bashkim monetar midis BRICS është ende larg dhe nuk ka gjasa të arrihet në afat të shkurtër, për shkak të dallimeve të brendshme midis anëtarëve të grupit. Ndërsa shumë vende në Jugun Global janë të tërhequr nga ideja e një rendi financiar më të barabartë, Shtetet e Bashkuara e shohin këtë iniciativë si një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj ndikimit të saj ekonomik global, veçanërisht në një kohë kur po përballet me antagonizmin në rritje nga Rusia dhe Kina. Ecuria politike brenda BRICS, pavarsisht ambicieve të Rusisë dhe Kinës, BRICS realisht po përballet me ndarje të brendshme dhe sfida në krijimin e një agjende të përbashkët. Është aty India dhe Brazili që janë kundër dhe nuk po mbështesin në tërësi zgjerimin e BRICS, pra jo të gjithë anëtarët janë në një linjë strategjike të hartimit të politikave. Për më tepër, blloku është ende larg realizimit të disa prej synimeve të tij më të guximshme, si krijimi i një monedhe alternative globale për të rivalizuar dollarin amerikan. Shtypi global thekson, gjithashtu, rëndësinë në rritje të fuqive të Lindjes së Mesme dhe të largët në këtë mjedis shumëpolar. Vende si Tajlanda, Meksika dhe Algjeria, të cilat kanë shprehur interes për t’u bashkuar me BRICS, po pozicionohen midis blloqeve perëndimore dhe atyre të lidhura me BRICS, duke ruajtur autonominë strategjike në vend që të angazhohen plotësisht për secilën pale. Të gjitha analistet perëndimore dhe mediat e pavarura ndërkombëtarë janë të mendimit se ky samit ishte një vitrinë që fshihte kontradiktat e brendshme të këtij organizmi dhe se objektivat e tij janë shumë larg realizimit.