“Ne jemi botë maqedonase”, deklaroi ministri i jashtëm maqedonas Timço Mucunski, pasi partitë politike po ia hedhin fajin njëra-tjetrës për afrimin me të ashtuquajturin projekt “bota serbe”.
Pas publikimit të raportit të Parlamentit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, akuzat për afri me konceptin e “botës serbe” kanë tronditur skenën politike në vend. Në raportin voluminoz, i cili u miratua më 26 qershor, u shpreh shqetësimi për ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës dhe u dënua promovimi i konceptit të “botës serbe” nga funksionarë maqedonas.
Këto vërejtje shkaktuan përplasje të ashpra partiake, ku partitë ia hedhin fajin njëra-tjetrës për tërheqjen drejt të ashtuquajturës “botë serbe”. Opozita kërkoi sqarim se cilët përfaqësues të Qeverisë po e përkrahin këtë projekt, pas së cilës u publikuan akuza dhe statistika për takime që funksionarët e LSDM-së dhe BDI-së kanë pasur me kolegë nga Serbia gjatë viteve të fundit.
“Ne nuk jemi pjesë e ‘botës serbe’”
“Ne jemi botë maqedonase”, tha ministri i punëve të jashtme Timço Mucunski të hënën (21.07), duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për vërejtjet se Qeveria po ndjek një politikë të jashtme që e shtyn vendin drejt “botës serbe”. Sipas tij, Qeveria po punon për zgjerimin e interesave të politikës së jashtme maqedonase. Ai ishte i prerë se nuk duhet të ketë dilema për drejtimet strategjike të politikës së jashtme të vendit.
Mucunski theksoi se kritikat vijnë nga disa ish-funksionarë të qeverisë së kaluar, të cilët, sipas tij, gjatë mandateve të tyre kanë pasur një numër rekord takimesh me kolegët e tyre serbë. Si shembull përmendi ish-presidentin Stevo Pendarovski, për të cilin tha se gjatë mandatit pesëvjeçar kishte zhvilluar nëntë takime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Ish-kryeministrat nga radhët e LSDM-së kanë pasur mbi 25 takime bilaterale me homologët e tyre nga Serbia në një periudhë shtatëvjeçare. Aktiv në këtë temë është edhe ish-ministri i jashtëm Bujar Osmani, i cili në katër vite kishte 11 takime bilaterale me kolegët e tij në Serbi. Unë nuk vlerësoj nëse kjo është mirë apo keq si ministër i jashtëm, por duhet të bashkëpunojmë me të gjithë. Nuk mund të kritikosh angazhimin me ndonjë fqinj, ndërkohë që ke pasur numër historik të takimeve pikërisht me ata përfaqësues”, tha Mucunski.
“Osmani më shumë në Beograd sesa në Prishtinë”
Në debat u përfshinë edhe përfaqësues të koalicionit “Vlen”, të cilët e kritikuan Bujar Osmanin se gjatë katër viteve si ministër “ka vrapuar 11 herë në takime në Beograd, por asnjëherë në Prishtinë”.
“Ai është takuar më shumë me autoritetet serbe sesa me ato kosovare. Në Shkup priti edhe ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov, ndërsa ishte pjesë e rregullt e ‘koreografisë’ së shëtitjeve dhe darkave me Aleksandar Vuçiq. Shqiptarëve u ofroi vetëm diplomaci për selfie, integrime evropiane të bllokuara dhe marketing personal”, thuhet nga koalicioni.
Bujar Osmani u përgjigj ndaj këtyre akuzave përmes rrjeteve sociale, duke publikuar një seri fotografish nga vizitat e tij në Kosovë.
Debati u aktualizua pas raportit të Parlamentit Evropian, ku në nenin 35 u shpreh shqetësimi për projektin e ashtuquajtur “bota serbe” dhe faktin që disa përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut kanë përkrahur dhe promovuar një koncept të tillë. Po ashtu, u dënua pjesëmarrja në takime që synojnë krijimin e një sfere ndikimi që minon sovranitetin e shteteve të tjera dhe stabilitetin e rajonit.
Ivan Stoilkoviq – lidhje me qarqet serbe dhe ruse
Veprimet e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndëretnike, Ivan Stoilkoviq, kanë qenë shpesh objekt kritikash publike për shkak të afërsisë së tij me politikanë serbë dhe qarqe ruse. Në maj të vitit të kaluar, ai mori pjesë në Samitin e 11-të të Sigurisë në Moskë, bashkë me drejtorin serb të BIA-s, Aleksandar Vulin, ministrin e jashtëm serb Ivica Daçiq dhe presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik.
Në postimet e tij, Stoilkoviq e ka quajtur Kosovën si “Kosovë e Metohi” dhe nuk ka marrë pjesë në takimin e përbashkët qeveritar Kosovë–Maqedoni.
Stoilkoviq u kritikua gjithashtu për ftesën që i bëri presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, për të marrë pjesë në një ceremoni në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë në janar, ku Dodik kishte mbajtur fjalim me përmbajtje anti-NATO dhe anti-BE. /DW
Linku: https://p.dw.com/p/4xptG