Serbët e Bosnjes votojnë sot në një referendum, rezultati i të cilit do të përcaktojë nëse 9 janari do të vazhdojë të konsiderohet festë kombëtare, duke sfiduar kështu një vendim të Gjykatës së Lartë të vendit.
Kjo e fundit doli në përfundimin se data në fjalë diskriminon myslimanët boshnjakë dhe katolikët kroatë, e si e tillë duhet ndryshuar. Serbët shpallën krijimin e shtetit të tyre brenda Bosnjes 9 janarin e vitit 1992, duke nxitur kështu konfliktin etnik që mori rreth 100 mijë jetë njerëzish.
Vendi vazhdon të jetë sot i ndarë në linja etnike mes entitetit serb dhe federatës myslimano-kroate. Gjykata Kushtetuese me seli në Sarajevë e ndaloi referendumin, por qendrat e votimit u çelën sot më 7 të mëngjesit në Republikën Srpska e do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19.
Të drejtën e votës e kanë rreth 1.2 milionë vetë. Branko Todoroviç, drejtori ekzekutiv i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Republiken Srpska mendon se, referendumi nuk është në interesin e qytetarëve, por në interesin e shumicës në pushtet.
Ky votim – sipas tij, – jo vetëm nuk i zgjidh problemet, por i thellon edhe më shumë. Strukturat e pushtetit po kërkojnë në këtë mënyrë të spostojnë vëmendjen nga gjendja e rëndë ekonomike dhe korrupsioni gërryes, ndërsa me faj, ai bën edhe opozitën që – siç thotë, – merret me përllogaritje e nuk ka ndonjë vizion apo guxim për ndryshime thelbësore e reforma.