Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është deklaruar rreth Konferencës së Sigurisë të mbajtur në Munih nga 16 shkurti, ku ka përmendur edhe takimet e ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Duke treguar për çështjet e diskutuara gjatë qëndrimit të tij në këtë konferencë, Borrelli ka thënë se me Kurtin dhe Vuçiqin në takime të ndara ka diskutuar për depërshkallëzimin e tensioneve, por që bisedimet rezultuan “pa sukses fatkeqësisht”.
“Gjatë qëndrimit tim në Munih, kemi diskutuar për çështjet më të ngutshme globale me Antonio Guterres, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Gustavo Petro, Presidentin e Kolumbisë, Wang Yi, Ministrin e Jashtëm të Kinës, Subrahmanyam Shankar, Ministër i Jashtëm i Indisë, Hakan Fidam, Ministër i Jashtëm i Turqisë dhe Chris Van Hollen, senator amerikan. Me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti, kam diskutuar, në takime të ndara, se si t’i depërshkallëzojmë tensionet mes dy vendeve, pa sukses fatkeqësisht”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Evropa është në rrezik nga luftërat në pragun e saj dhe nga “era e barutit” në mbarë botën, realitet ky për të cilin, sipas tij, këtë vit ishin të vetëdijshëm të gjithë në konferencë.
“Me dy luftëra në pragun e saj dhe me shumë fuçi të tjera baruti në të gjithë botën, të gjithë ishin të vetëdijshëm se Evropa është në rrezik, siç e thashë dy vjet më parë”, është shprehur Borrelli.