Një 38-vjeçar është arrestuar pranë fushës së golfit të presidentit amerikan Donald Trump në zonën e Los Anxhelosit, pasi autoritetet i gjetën municion në posedim dhe një armë zjarri në automjetin e tij.
Sipas Departamentit të Sherifit të qarkut, Jeanine John Taele u ndalua teksa po fotografonte dhe regjistronte video në afërsi të fushës së golfit. Gjatë kontrollit, policia i gjeti një karikator me 16 fishekë, ndërsa në automjet iu sekuestrua edhe një pistoletë e mbushur.
Pas arrestimit, autoritetet bastisën banesën e tij, ku konfiskuan disa armë zjarri, karikatorë, municion, një jelek antiplumb dhe fletore me përmbajtje që hetuesit i cilësuan si “deklarata shqetësuese”.
38-vjeçari akuzohet për disa vepra penale, përfshirë posedim të paligjshëm të karikatorit me kapacitet të lartë, posedim të një arme të ndaluar dhe mbajtje të fshehur të armës në automjet. Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat, ndërsa gjykata ka urdhëruar që të mos i afrohet më fushës së golfit të Trumpit.
Presidenti amerikan Donald Trump e komentoi shkurt ngjarjen për Fox News, duke thënë se situata të tilla u ndodhin presidentëve që “lënë gjurmë”, duke shtuar se ai beson se është një prej tyre.



