Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, Josep Borrell ka zhvilluar një takim me ministrin e punëve jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, për presidencën e OSBE-së, e cila kryesohet aktualisht nga Maqedonia e Veriut, si dhe për ecurinë e vendit në integrimin europian. Josep Borrell ka shprehur shqetësimin për tensionet e rritura së fundmi midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, me incidente në protokoll dhe provokime.
“Ne e dënojmë sulmin në Ohër në të njëjtën mënyrë me autoritet vendase. Vlerësoj deklaratat e autoriteteve tuaja, se përgjegjësit do të përballen me drjtêsinë. Njëkohësisht ne dëgjojmë dekarata nga politikanë nacionalistë, që ndezin urrejtjen dhe që çojnë në dhunë. Kjo vetëm mund të përshkallëzojë tensionet dhe nuk krijon kushtet për lehtësimin e fqinjësinë së mirë midis dy vendeve. Unë dënoj çdo nxitje të dhunës. Puna për të krijuar njê kuadër të harmonisë dhe dialogut është kyçe, pasi kjo është mënyra europiane dhe përbën bazën mbi të cilën është ndërtuar BE-ja”, deklaroi Josep Borrell, shefi i diplomacisë europiane.
Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell ka përgëzuar qasjen europiane të vendit, ku Maqedona e Veriut është rreshtuar 100% me politikën e jashtme të BE-së , si dhe ka përshëndetur kryesinë e marrë nga Maqedonia e Veriut në presidencên e OSBE-së. Lidhur me këtë të fundit, ai është shprehur, se edhe pse Rusia, është pjesë në OSBE, vendi ka treguar një mosrespektim total të Kartës së Helsinkit dhe çdo javë cënon qëllimisht diskutimet dhe vazhdon të bllokojë vendime të rëndësishme të organizatës.
Lidhur me këtë, ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani ka deklaruar, se është në Bruksel për të konfirmuar, në funksionin e kryesisë së OSBE-së, se rruga përpara bazohet në frymën dhe në gërmën e Kartës së Helsinkit.
“I bëj thirrje Federatës së Rusisë, që të ndalë luftën, të tërheqë trupat nga Ukraina, të riangazhohet për respektimin e vlerave dhe parimeve të OSBE-së dhe t’i rikthehet diplomacisë” është shprehur Osmani.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim lidhur me përballjen e sfidave të përbashkëta.