Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane Bojan Mariçiq tha në emisionin “Vetëm Intervistë” në Kanal 5 se Bashkimi Evropian përmes Brukselit hapi ciklin e dytë të pyetjeve rreth kontratës me konsorciumin “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e autostradave nga Korridori 8 dhe 10d, përcjell FLAKA.
Marrëveshja nuk është shpallur në mënyrë transparente për publikun, vetëm një version i redaktuar i është dërguar Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe ndërkohë janë miratuar pesë amendamente të diskutueshme ligjore pas një procedure të shkurtuar, gjë që ka shkaktuar shqetësim në Bashkimin Evropian.
“I kemi shpjeguar me shkrim dhe me gojë disa herë. Ata kërkuan përgjigje të reja në raundin e dytë të korrespondencës. Gjatë skriningut i kam dhënë informacion, tani po e dërgojnë për herë të dytë dhe ne do t’u japim përgjigjen”, tha zëvendëskryeministri në emision.
Përveç Bechtel-it dhe Enkës si konsorcium amerikano-turk, ai tha se vendi ka edhe investitorë strategjikë evropianë, të cilët, sipas tij, duhej të fillonin ose të kishin filluar projektet e tyre në vend.
“Në kontratë ka formula, metoda, mënyra e punës, të cilat Bechtel dhe Enka nuk duan të publikohen për shkak të sekretit të biznesit. Në anën tjetër, paratë janë publike dhe gjithçka që do të paguhet dihet”, tha Mariçiq.