Lëvizja BESA ka reaguar lidhur me ndotjen e ambientit dhe mbeturinat në komunën e Bogovinës.
“Këto ditë dimri, kur na ka mbuluar bora, më së shumti janë gëzuar aurotitet e Komunës së Bogovinës, sepse ajo e ka mbuluar edhe turpin e tyre. Siç dihet, tashmë një kohë të gjatë qytetarët e Komunës së Bogovinës janë përmbytur nga mbeturinat, duke u ballafaquar me keqmenaxhim të skajshëm të mbeturinave, që janë kushti elementar për mirëmbajtjen e higjienës. Shtëpitë e qytetarëve në këtë komunë tashmë po shndërrohen në deponi, ngase mbeturinat nuk mblidhen nga askush prej më shumë se 3 javësh. Meqë nuk ka askush që kujdeset për këto mbeturina, një pjesë e tyre hidhet në mënyrë të pakontrolluar në pika kritike, gjë që drejtpërdrejt e rrezikon shëndetin e qytetarëve.”, thekson Lëvizja BESA.
Kjo parti kërkon nga institucionet përkatëse, siç janë Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe ajo e Mjedisit Jetësor, si dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, që urgjentisht të merren masa për zgjidhjen e këtij problemi ekologjik. Sepse bora shkrihet javën tjetër dhe turpi u del në shesh.