4 April 2018 / 15:48
Klinika e Gjinekologjisë dhe Akusherisë për ditë me radhë është me llogari bankare të bllokuar për 410.000 euro. Bllokimi vjen si pasojë e padisë së ngritur në vitin 2008 nga prindërit e fëmijëve të lindur në atë vit të cilët mbetën të verbër, pasi kishte vonuar diagnostifikimi i retinopatisë. Nga Klinika e Gjinekologjisë kanë njoftuar se llogaria bankare është bllokuar nga dita e hënë. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi se pasditen e sotme do të ketë takim me drejtoreshën e Gjinekologjisë dhe përfaqësues nga ministria e Financave për të shqyrtuar zgjidhjet e mundshme të këtij problemi.
Vendimi për tërheqjen e parave nga llogaria, pas padisë për rastin e caktuar i cili ka qenë në vitin 2008 na tangon dhe neve. Ajo është shumë ekstra e cila nuk është e paraparë në buxhetin e Klinikës, për këtë qëllim pasditen e sotme do të kemi takim me institucionin në fjalë, me drejtoreshën e atij institucioni si dhe përfaqësues të ministrisë së Financave, t’i shqyrtojmë të gjitha rrethanat dhe do ta dimë se cilat hapa të mëtutjeshëm do të ndërmarrim – tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Pavarësisht kësaj, nga kjo Klinikë njoftuan se posedojnë mjete të mjaftueshme për të funksionuar normalisht. Kjo është hera e dytë që Klinikës së Gjinekologjisë i bllokohet llogaria bankare. Gjatë muajit shkurt, nga llogaria e kësaj Klinike u tërhoqën 150.000 euro për vendime gjyqësore për foshnja të cilat humbën shikimin derisa ishin nën kujdes intenziv në inkubatorët e Klinikës si foshnja të lindura para kohe.


