Blerta Pocesta, e akuzuar për vrasjen e prindërve dhe motrës së saj në vitin 2018, në Dibër, më 13 mars pritet të paraqitet si dëshmitar në rastin “Pino”. Prokurorja e cila e përfaqëson lëndën gjyqësore për vrasjen e të riut Pino Sekondo, Lidija Raiçeviq, në seancën e sotme para Trupi gjykues të kryesuar nga gjykatësja Lenka Davidkovska, tha se dëshmitarja Pocesta, (e cila vuan masën e paraburgimit në burgun e Shutkës) është intervistuar në prokurori dhe ajo para gjykatës do të rrëfehet për atë se çfarë ka dëgjuar dhe di për këtë ngjarje, shkruan gazeta KOHA.
Pala mbrojtës e të akuzuarës Angella Gjorgjievska e kundërshtoi këtë propozim të gjykatës me arsyetim se bëhet fjalë për një person, i cili dyshohet për vrasje të trefishtë dhe konfliktuoz. Po ashtu, edhe vetë e akuzuar Gjorgjievska tha se nëna e Pino Sekondos, ofron para dhe avokat të mirë për çdonjërin që ofron informacione shtesë për vrasjen e tij.
“Pocesta qëndron në qelinë A3, unë në A2, flitet se nëna e Pinos jep para për të dhënë informacione për vrasjen e tij”, tha e akuzuara Gjorgjieva. Mirëpo, për shkak të mos argumentimit të akuzave, gjykatësja nuk i mori për bazë këto fjalë. Nga ana tjetër, prokurorja Lidija Raiçeviq, tha se pala mbrojtëse do të ketë mundësi t’i parashtroj pyetje dëshmitares kur ajo do të prezantojë në gjykatë.



