Bledar Kurti është autor i disa librave, këshilltar dhe analist politik, akademik, lektor universiteti, publicist politik dhe historik. Ka lindur në Durrës më 7 gusht 1977. Ai është autor i disa librave si: Dashnorët e Kohëve Moderne (Grimca hije-drite nga jeta e një politikani), Vajza nga Laguna, CIA dhe Presidentët Amerikanë, Udhëtim në Gjurmët e Vjetra dhe të Reja të Qytetërimit, Man Ray dhe Surrealizmi, dhe One Touch! Dr. Bledar Kurti është autor i qindra artikujve në gazetat më kryesore në vend dhe këtë herë vjen me një intervistë ekskluzive për ‘Mapo Letrare’.
Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?
Një pyetje shumë e bukur dhe e guximshme, të cilës nuk dua dhe as që mund t’i përgjigjem. Të veçosh një roman të vetëm në të gjithë universin e letërsisë është ta zhbësh atë univers. Kam romanet e mia të preferuar, por nuk mund të kryej një sakrilegj të pashpengueshëm.
E gjitha historia njerëzore është shoqëruar gjithmonë, në çdo hap, në çdo arritje, humbje, krizë, luftë, paqe, begati e murtajë, vdekje apo rilindje, me një a më shumë vepra letrare, të cilat janë bërë frymëzueset e njeriut në çdo frymëmarrje të tij, ndaj, ndonëse romani është zhanër i vonshëm, letërsia na ka shoqëruar që nga fillimi i kohërave, kësisoj do të inkurajoja çdo lexues të rregullt, ose çdo lexues kërkues e kureshtar, të lexojë ato vepra që kanë ndriçuar hapat e njeriut në të gjitha shtigjet e tij, duke filluar nga Iliada, Komedia Hyjnore, Hamleti, Makbethi, Konti i Monte Kristos, Don Kishoti, Njëzetë Mijë Liga Nën Det, Ana Karenina, Gatsbi i Madh, Lamtumirë Armë, Iluzionet e Humbura, Ferma e Kafshëve, 1984, e deri në literaturën bashkëkohore, e cila është pasqyrë e sfidës së njerëzimit me surprizat e epokës së mijëvjeçarit të ri.
I gjithë njerëzimi, në gjashtë mijë vite qytetërim ka qenë gjithmonë i ndarë në dy kategori, njerëzit e lirë, dhe skllevërit. Të lirët kanë qenë dhe janë ata që e kanë njohur, prekur, dhe përjetuar universin e letërsisë dhe artit. Ndërsa skllevërit ishin të tjerët. Në epokën e sotme të teknologjisë, vërehet një skllavëri edhe më e madhe mendimi. Njerëzit e kanë shumë pranë vetes lirinë, por nuk e kuptojnë. Është fare e thjeshtë. Liria është libri.
Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?
Sërish nuk mund të fyej universin e letërsisë duke zgjedhur vetëm disa yje nga triliardat që e përbëjnë atë. Megjithatë, duke e shfrytëzuar këtë intervistë si një psikanalizë letrare, po u kthehem kujtimeve të fëmijërisë kur lexoja Tregime të Moçme Shqiptare të Mitrush Kutelit, apo edhe Ëndërr Mashtruese, e Ismail Kadare, i cili ishte ndër librat e mi të parë që lexoja gjatë fundit të fëmijërisë.
Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?
Nga penat shqiptare zgjedh absolutisht Ismail Kadare. Është i vetmi shkrimtar që për gjysmë shekulli e ka bërë Shqipërinë e vogël të duket e madhe në sytë e lexuesve botërorë. Dhe besoj se do të jetë i pazëvendësueshëm edhe për disa shekuj, derisa providenca historike e letrare të lindë një penë tjetër shqiptare, e cila t’i përafrohet atij. Në lidhje me eseistët, kritikët apo gazetarët shqiptarë, fatkeqësisht mendoj se asnjëri nuk i ka qëndruar besnik artit, letërsisë apo integritetit krijues, por janë vënë në shërbim (ose janë viktimizuar) nga faktori kryesor, i cili është armik i artit dhe letërsisë: kompromisi intelektual.
Për njeriun e letrave, ndër më të mirët e kohëve moderne, pavarësisht faktit se u nda nga jeta vetëm pak muaj më parë, zgjedh Philip Roth. Do të ishte mirë që lexuesit shqiptarë t’i kushtonin më shumë vëmendje veprave të tij.
Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?
Më pëlqen të lexoj romane. Romani të ofron hapësirë të perceptosh dhe mbllaçitësh fjalën. Në të ka vend si për autorin ashtu edhe për lexuesin. Gjinitë e tjera e ngushtojnë disi këtë hapësirë. Sidomos poezia. Për mua, poezia është një gjini, të cilën nuk më pëlqen ta lexoj. Kam botuar vetë libra me poezi, por nuk e preferoj si zhanër. Mendoj që poezia e kreu ciklin e saj deri në fund të shekullit të njëzetë, dhe poetët e sotëm thjesht shkruajnë poezi që të çlirohen nga mallkimi i talentit të tyre, ndërsa ata që i lexojnë ëndërrojnë ta kenë atë talent. Jam i sigurt që poezia do të pësojë transformime rrënjësore brenda këtij shekulli, pasi letërsia dhe arti nuk mund të qëndrojnë dot nën lavdinë e së shkuarës, pasi janë avantgardë. Sot koha është përpara poezisë. Shumë shpejt poezia do e marrë sërish kreun, por atëherë do të jetë me një pamje e formë të re.
Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?
Në raftet e mia ka gjithçka. E gjithë bota dhe i gjithë njerëzimi është në të. Kam libra nga të gjitha gjinitë letrare, por edhe shumë libra historikë, politikë, arti etj. Përveç klasikëve dhe botimeve bashkëkohore kam edhe shumë autobiografi apo biografi të figurave të shquara të historisë. Kam shumë edicione origjinale të vjetra librash të shkrimtarëve të njohur, si për shembull nga Graham Greene, Ernest Hemingway, e madje edhe nga Winston Churchill. Si koleksionist kam edhe dekrete mbretërore britanike dhe gazeta gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por më të rëndësishmit për mua janë librat e parë që kam lexuar në fëmijëri, të cilët i ruaj me shumë fanatizëm.
Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?
Në një moment, në një moshë, apo në një situatë të caktuar gjithsecili prej nesh mund të identifikohet me ato personazhe të cilat i kemi njohur në libra. Në një kohë të caktuar kam qenë David Bourne, Maurice Bendrix, Robinson Kruzo, plaku Santiago, djaloshi Pip, Edmond Dantes, Nathan Zuckerman, Ravik, Antonio Correli, Phileas Fogg, Onegini, László de Almásy, Robert Kincaid, Tom Sawyer, Florentino Ariza, Robert Jordan etj. Dhe forca e magjia e letërsisë bën që këto personazhe të mos jenë aspak imagjinarë, por shumë realë, madje përmes tyre je vetë ti. Asnjë mjet tjetër artistik nuk e ofron këtë magji. Vetëm letërsia. Përmes saj mund të jetosh një mijë jetë.
Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj?
Isha lexues shumë kureshtar dhe i etur. Kërkoja të lexoja sa më shumë e të mësoja gjëra të reja. Nuk kisha as edhe një libër të trashëguar në shtëpi ndaj i vura qëllim vetes të krijoj një bibliotekë të madhe. Sot biblioteka ime është e përbërë nga 5000 libra dhe inkurajoj gjithmonë studentët e mi të krijojnë edhe ata bibliotekën e tyre, pasi e vërteta historike na mëson se çdo njeri i kultivuar prej librave nuk ka qenë asnjëherë larg suksesit. Libri dhe suksesi ecin gjithmonë krah njëra-tjetrës.
Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?
Sot bibliotekat dhe libraritë janë plot me libra. E gjithë dija e botës mund të gjendet në to. Por në fëmijërinë time, librat ishin të censuruar dhe rrallë gjendeshin, ndaj unë lexoja çfarëdo të më binte në dorë. Kujtoj që ndër librat e mi të parë ishin Tom Sawyer (Sojeri) e Mark Twain, Shpella e Piratëve e Petro Markos, Tregime të Moçme Shqiptare e Mitrush Kutelit, libër i cili ishte ilustruar me grafikët e mrekullueshëm të Gazmend Lekës, duke e bërë atë libër edhe më magjepsës, si edhe Iliada e Homerit ku u njoha me heronjtë e lashtësisë dhe mitologjinë greke. Një libër tejet frymëzues ishte romani Etja për Jetë e Irving Stoun, në të cilin flitej për jetën e Vincent Van Gogh. Ky libër me ilustrime nga veprat e Van Gogh-ut, bashkë me grafikët e Gazmend Lekës te Tregimet Moçme Shqiptare, dhe ilustrimet e ndryshme që gjendeshin tek Iliada apo tregime të mitologjisë greke, më dhanë një shtysë të fortë si për forcën e fjalës po ashtu edhe për bukurinë e arteve vizive.
Sa keq që brezi i sotëm i makiatos ka të gjithë bibliotekën e botës në i-Pad ose në Kindle, por nuk ka as edhe një shtysë për të lexuar. Nëse do e bënte këtë si bota e tyre ashtu edhe bota jonë do të ishte ndryshe, pasi do të ishim një komb i lirë.
A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?
Në fakt po. Disa herë. Gjatë diktaturës shkëmbenim libra me shokët e shoqet e lagjes. Disa libra ishin pa kopertina dhe tituj. Nuk e kuptoja përse ishin ashtu, por kur më shihte babai që lexoja libra pa kopertinë e titull më qortonte jashtë mase e më urdhëronte të mos i tregoja njeriu, pasi duhet të bëja kujdes me ato libra se ishin të ndaluar. Në atë kohë quheshin “të ndaluar”, ose libra “të verdhë”. Sot e kësaj dite nuk u di as emrin e autorëve e as titujt e atyre librave që lexova. Marrëzi.
Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?
Më duhet ta nis me librin e librave, siç njihet botërisht, Bibla. Besoj se çdo njeri e çdo shkrimtar duhet ta lexojë e studiojë në mënyrë që ta kuptojë edhe më mirë forcën e fjalës. Ajo shprehja e famshme të cilën e përdorin të gjithë shkrimtarët, “Në fillim ishte fjala” gjendet pikërisht në të. Ky është libri që ka ndryshuar rrënjësisht jetën time, ndërsa ata që e kanë zbukuruar më shumë atë e më kanë shoqëruar në çdo hap e kthinë të jetës sime janë veprat e William Shakespeare, Ernest Hemingway, Graham Greene, George Orwell, Philip Roth dhe Ismail Kadare.
Ndikimi i fjalës dhe letërsisë në jetën time ka qenë rrënjësor. Si në letërsi ashtu edhe në artin në tërësi kam pasur gjithmonë një lidhje të thellë shpirtërore. Asnjë libër nuk e kam blerë, lexuar, mbaruar, e thjeshtë arkivuar në bibliotekë. Çdo libër e autor ka qenë proces jetik, e madje edhe frymëzim pelegrinazhesh. Për shumë vite kam vizituar vendlindjet apo vendbanimet e shkrimtarëve të mi të preferuar, si edhe kam ndjekur elementet që frymëzuan ata për të krijuar veprat e tyre. Kam shkuar në Madrid të shoh luftë me dema në Plaza del Toro, për të kuptuar magjepsjen e Hemingway me atë traditë spanjolle. Vizitova Ayr, në Skoci për të shkelur në kasollen e Robert Burns, apo në Stratford upon-Avon, për të ndezur një qiri në varrin e Shakespeare, e shumë pelegrinazhe të tjera. Të njëjtën gjë kam bërë edhe me artistët dhe muzetë më të njohur të botës. Arti dhe universi i letërsisë janë transformuese. Vetëm ata që e kanë përjetuar, vetëm njerëzit e lirë, mund ta kuptojnë vërtet fuqinë e tyre dhe si ajo të shoqëron e ndriçon në çdo hap të jetës.
Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?
Unë jam autor i disa librave letrarë, historikë dhe politikë. Jam i pasionuar pas artit, muzikës, letërsisë, historisë dhe politikës. Prej shumë vitesh i kam ndërthurur këto pasione duke krijuar një produkt: fjalën. Jam autor i rreth 700 artikujve dhe fjalimeve në parlament, të gjitha fryt i një përzierje ngjyrash, tingujsh, konceptesh, dijesh, intuite dhe vizioni. Para pak kohësh mendova që t’i ndërthur të gjitha në një roman dhe në vitin 2017 botova përmes shtëpisë botuese ONUFRI, Dashnorët e Kohëve Moderne (Grimca hije-drite nga jeta e një politikani), në të cilin letërsia dhe politika shkrihen në një. Është një libër shumë pranë politikës dhe njëkohësisht shumë larg saj! Romani rrok koncepte universale dhe jo tema të rëndomta politike të ditës, megjithatë çdo lexues njihet me botën e brendshme të ndonjë politikani shqiptar. Ndonjëherë e vërteta është më trilluese sesa letërsia. Unë kam përshkruar një të vërtetë tejet trilluese dhe një trillim tejet real! Gjithkush do ta gjejë veten diku në rreshta apo do të njohë dikë të afërm në ndonjë faqe.
Ky libër është më i veçanti për mua.
Nëse do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?
Presidentit të Republikës do t’i rekomandoja tre libra: për jetën e tij personale do i rekomandoja Biblën, për përgjegjësitë e tij institucionale do i rekomandoja Utopia për Realistët, nga Rutger Bregman, libër i cili paraqet disa këndvështrime progresiste mbi politikat e një vendi, e hedh teza të cilat besoj se çdo politikan apo parti politike duhet t’i përfshijë në retorikën politike, ose integrojë në programet partiake; dhe për kohën e tij të lirë do i rekomandoja Plaku dhe Deti, pasi është një histori tejet interesante me sfida të ndryshme dhe peshkaqenë të shumtë.
Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?
William Shakespeare, Ernest Hemingway, Ismail Kadare. Vetëm do të dëgjoja e do të mbaja shënim rrjedhën spontane të bisedës. Dhe me një gotë verë në dorë do të shijoja e dëshmoja sesi shkrihet koha dhe takohen galaksitë.
Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë?
Kam një marrëdhënie dashuri-urrejtje me romanin viktorian. Ia njoh vlerat letrare dhe kontekstin historik e social, por disa vepra të autorëve të shquar britanikë të asaj periudhe janë vërtet madhështore, ndërsa disa të tjera zvarriten e stërzgjaten në leximin dhe perceptimin tim. Nuk dëshiroj të përmend tituj e autorë, pasi ato mund të jenë të dashur për disa lexues, por jam i sigurt që lexuesit e rregullt kanë hasur të njëjtë gjë me letërsinë e asaj periudhe.
A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?
Jo. Duhet të ketë qenë i parëndësishëm, ndaj edhe s’më kujtohet.
Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?
Rrallë kthehem te të njëjtat libra. Ka kaq shumë bukuri në botë saqë nuk mjafton një jetë për të mësuar e përjetuar gjëra të reja, ndaj më pëlqen të lexoj krijime të reja apo edhe ato të vjetra, të cilat nuk i kam lexuar ende.
Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?
Njoh pak letërsinë moderne italiane. Për këtë ndihem pak keq, pasi nuk kam gjetur ende kohën e duhur ta ndreq këtë mangësi.
Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?
Jam duke përfunduar sagën e mjeshtërve të penës japoneze, ndaj më kanë mbetur dhe pak autorë për ta përmbushur këtë njohje me letërsinë e Lindjes së Largët, e cila është pjesë e rëndësishme e kolazhit të mrekullueshëm të krijimtarisë botërore.
Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?
Do të isha i privilegjuar që historinë e jetës sime ta shkruante biografi i njohur Walter Isaacson, ose cilido njeri i letrave, por dëshira ime më e madhe do të ishte që atë ta shkruante vajza ime. Nëse një ditë edhe ajo do të mbajë mbi supe mallkimin e ëmbël të fjalës dhe letërsisë e do të shkruajë historinë e jetës sime, kjo gjë do të më lumturonte shumë, si të gjallë ashtu edhe të vdekur. Nëse do të zgjedhë të mos shkelë në universin e letrave, atëherë historia e jetës sime e gdhendur vetëm në zemrën dhe kujtimet.