Bisedimet dhe përpjekjet për sigurimin e 61 deputetëve për të fituar mandatin për formimin e Qeverisë së ardhshme vazhdojnë të ruhen si temë top sekret. Zyrtarisht askush nuk konfirmon nëse mes partive politike ka bisedime të tilla ndërkohë që jozyrtarisht mësohet se kontaktet mes subjekteve janë të vazhdueshme. Edhe pse zyrtarisht nuk ka vendosur se si do të veprojë pas vendimit të presidentit Gjorgji Ivanov, sipas liferimeve mediatike LSDM veçmë bën përpjekje që të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare. Kjo parti ka marrë mbështetjen nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, por vetëm për të fituar mandatin për fillimin e negociatave, ndërsa nuk dihet ende qëndrimi i BDI-së, mbështetja e të cilëve është e domosdoshme për sigurimin e shumicës. Edhe sot nga LSDM zyrtarisht nuk ka asnjë hollësi, por kjo parti ka vazhduar me akuza ndaj presidentit Ivanov për shkelje të Kushtetutës dhe për standarde të dyfishta. Në një kumtesë me shkrim, LSDM ka hedhur si të pavërteta zërat se Ivanov ka vepruar njëjtë si ish presidenti Kiro Gligorov në vitin 1992. Nga partia e Zoran Zaevit thonë se Gligorov atëherë mandatin ia ka dhënë partisë së dytë me radhë, pas dështimit të VMRO-DPMNE-së që të sigurojë shumicë dhe se këtë e ka bërë pa kushtëzuar sigurimin e 61 votave në Kuvend.
“Kjo dëshmon se presidenti Gligorov e ka ndarë mandatin partisë së dytë të plasuar në zgjedhjet e atëhershme, pa kërkuar që t’i dorëzohen nënshkrimet e 61 deputetëve dhe pa vendosur kushte për programin, siç bëri Ivanov me kërkesën drejtuar kryetarit Zaev. E vetmja gjë që ka kërkuar atëherë presidenti Gligorov nga partia e dytë e plasuar në zgjedhje është citojmë ‘të caktojnë kandidat të cilit kryetari i Republikës do t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë”, thuhet në kumtesën e LSDM-së ku është bashkangjitur edhe njoftimi i lëshuar në vitin 1992 nga kabineti i ish presidentit Gligorov.
Nga kjo parti kujtojnë se Ivanov ia dha mandatin Gruevskit pa i kërkuar mbështetjen e 61 deputetëve dhe pa i vendosur kushte dhe andaj vlerësojnë se këto kushte nuk duhet të vlejnë as për Zoran Zaevin.
Nga ana tjetër nga VMRO-DPMNE kanë thënë për mediat në gjuhën maqedonase se do të njoftojnë opinionin kur do të ketë ndonjë risi lidhur me këtë temë. Por, kjo parti ka përsëritur qëndrimin se për ta zgjidhja më e mirë është mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare.