Alsat 2019-10-05T14:42:11+02:00
Kanë filluar bisedimet për modelin e ri të funksionimit të KSHZ-së, i cili vitin e ardhshëm pritet t’i organizojë zgjedhjet parlamentare. Para disa ditëve në Klubin e deputetëve u mbajt takim nismëtar ku pjesëmarrësve u janë ndarë rekomandimet e OSBE-së. Mes tyre edhe kërkesat për përcaktimin e metodologjisë për punën e këtij Komisioni dhe rregullimin e mandatit i cili skadon në korrik të vitit të ardhshëm. Në takimin e udhëhequr nga ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska ka pasur përfaqësues të LSDM-së, VMRO DPMNE-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët. Në takimin e ardhshëm, të cilin nga dikasteri i drejtësisë e paralajmërojnë brenda dy javësh, thonë se do të ftohen edhe organizata civile dhe institucione shtetërore.
Ka propozime të ndryshme rreth asaj se si duhet të duket KSHZ-ja. Një propozim është për themelimin e një Komision profesional i cili nuk do të përbëhet nga përfaqësues të partive politike. Në tavolinë janë të gjitha propozimet. Nuk është çështje e prerë dhe nuk është përcaktuar ndonjë propozim final. Nëse ka pajtim, do të ndryshojmë, nëse jo pamë se ky model funksionon- deklaroi Renata Deskoska- ministre e Drejtësisë.
Ministrja e Drejtësisë vitin e kaluar formoi grup pune ku në debatin për përbërjen dhe mënyrën e punës, është biseduar edhe për një model që do të sigurojë profesionalizëm të funksionit, por edhe garanci për besim nga partitë politike. Grupi i punës duhet ta harmonizoj kornizën juridike me rekomandimet e OSBE-së. Sipas Kodit zgjedhor të vitit 2018-të, KSHZ-ja përbëhet nga shtatë anëtarë, të propozuar nga partitë parlamentare politike. Fillimisht, i formuar për gjashtë muaj, për menaxhimin e referendumit për emrin, mandati i KSHZ-së vitin e kaluar u vazhdua edhe për dy vite tjera. Puna në këtë Komision ishte një nga vërejtjet kryesore në Raportin e ekspertit juridik gjerman, Rajnhard Pribe, ku kërkohej profesionalizimi i plotë i këtij trupi. Edhe OSBE/ODIHR në raportet e saj kritikonte dhe kërkonte që të shmanget ndikimi partiak në KSHZ, për të pasur zgjedhje korrekte dhe demokratike.
Vesna Velkova
Loading…



