Lëvizjes BESA ju vodhën të paktën 3 mandate deputetësh! Kështu mes tjerash tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, gjatë emisionit Arena në TV SHENJA. Ai shtoi se ata mandate do të ishin vendimtare që sot të kemi një qeveri reformatore.
Kasami tha se BDI po mundohet që platformën e përbashkët të partive politike shqiptare ta shfrytëzojë për interesa partiake dhe klanore.
“BDI nisi bisedimet me VMRO-DPMNE-në pa u konsultuar me partitë që ishin përkrahëse të deklaratës dhe asnjëherë nuk e pa të arsyeshme të deklarojë se bisedimet me VMRO-DPMNE-në ishin të bazuara në këtë deklaratë”, tha mes tjerash Kasami, duke shtuar se BDI nuk u bazua në deklaratën mes partive shqiptare gjatë bisedimeve me VMRO-në, duke keqpërdorur vullnetin e partive tjera shqiptare.
“Lëvizja BESA nuk ka besim tek lidershipi i BDI-së, pasi për 15 vite keqpërdorën çdo gjë që është shqiptare dhe në vazhdimësi kanë punuar në dëm të interesave shqiptare”, tha po ashtu Kasami.
Numri një i BESËS, tha se vetë shkaku që lideri i BDI-së përvetësoi deklaratën e partive shqiptare, nuk është i vërtetë, duke shtuar se nëse kjo vazhdon edhe në të ardhmen, do të rishqyrtojnë mbështetjen e mëtejme për platformën.
Më tej, Kasami tha se Lëvizja BESA në asnjë moment nuk i ka dhënë mandatet e saja të deputetëve për LSDM-në. /SHENJA/