Mbi 50.000 euro janë gjetur në një kasafortë bankare gjatë një kontrolli shtesë në Prilep. Numri i lokacioneve të kontrolluara në kuadër të aksionit kundër një grupi të organizuar kriminal ka arritur në 37, njoftoi drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev.
Gjatë vizitës në stacionin policor në Prilep, Janev tha se pas aksionit të zhvilluar dy ditë më parë është shtuar prania policore në qytet, me qëllim që policia të jetë më e dukshme dhe më pranë qytetarëve.
Për rastin është ngritur kallëzim penal ndaj 21 personave. Në të nuk janë përfshirë katër punonjësit e dyshuar të policisë, për të cilët është kompetent Kontrolli i Brendshëm i MPB-së. Nga të dyshuarit, 14 personave u është caktuar paraburgim deri në 30 ditë, ndërsa katër të tjerë ndodhen në arrest shtëpiak.
“Dje u kontrollua edhe një kasafortë në një bankë në Prilep, ku gjetëm mbi 50.000 euro të tjera. Gjithashtu, gjetëm dhe sekuestruam automjete. Nga 37 lokacionet e kontrolluara, katër kontrolle u kryen te punonjës policorë të Njësisë së Punëve të Brendshme në Prilep”, tha Janev.
Ai theksoi se operacioni ishte rezultat i një pune të planifikuar dhe se pret që qytetarët t’i ndiejnë efektet e tij.
“Ajo që ndodhi në Prilep, Shkup dhe Strugë nuk ishte një aksion i rastësishëm. Më e rëndësishmja për mua dhe kolegët e mi është se miti i të paprekshmëve në Prilep më në fund ra. Askush nuk mund të fshihet pas lidhjeve dhe njohjeve, të shëtisë rrugëve të Prilepit dhe të sillet si i paprekshëm. Si polici, këtë nuk do ta lejojmë”, deklaroi Janev.
Më 30 shtator, pas një hetimi disamujor, MPB-ja zhvilloi një aksion të koordinuar, gjatë të cilit, sipas policisë, u godit një grup i organizuar kriminal prej 21 anëtarësh. Grupi përbëhej nga 20 persona nga Prilepi dhe një nga Shkupi, të dyshuar për tregti të paligjshme me drogë dhe krim ekonomik.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa Janev nuk përjashtoi mundësinë që edhe persona të tjerë të përfshihen në rrethin e të dyshuarve. Sipas tij, rrjeti i shitjes dhe shpërndarjes së drogës ishte ndërtuar për më shumë se 15 vjet.
Pas aksionit është shtuar prania policore në Prilep. Janev tha se synimi është forcimi i besimit dhe bashkëpunimit me qytetarët, duke i inkurajuar të denoncojnë kriminalitetin.
“Do të jemi çdo ditë të pranishëm mes qytetarëve. Duam të rrisim transparencën dhe t’i inkurajojmë ata të mos heshtin. Të mos jemi vetëm vëzhgues të heshtur. Kur shfaqet një problem, të flasim hapur; kur është e nevojshme, të veprojmë dhe ta zgjidhim së bashku. Policia është partnere e qytetarëve dhe ekziston për ta”, tha ai.
Policia do të kërkojë bashkëpunim edhe me pronarët e lokaleve hoteliere dhe gastronomike, të cilët mund të kenë pasur përvoja me të dyshuarit.
“Duam të krijojmë një partneritet me ta, që dukuri të tilla të mos përsëriten. Policia do të jetë më pranë qytetarëve dhe më e dukshme”, theksoi Janev.
Drejtori vlerësoi se gjendja e sigurisë në Prilep është e favorshme. Sipas tij, të dhënat tregojnë ulje të veprave penale që lidhen me krimin e rëndë, ndërsa rritja eventuale e shifrave lidhet me zbatimin e ligjit në fushën e trafikut rrugor.
Ai shtoi se policia synon ta ulë më tej numrin e veprave penale dhe kundërvajtjeve që cenojnë rendin dhe qetësinë publike. Si tregues pozitiv veçoi edhe rritjen e numrit të rasteve të zbardhura me autor fillimisht të panjohur.
Janev foli edhe për pjesëmarrjen në konferencën e Bashkimit Evropian për drejtuesit e policive në Hagë dhe për takimin me drejtorin e Europolit.
Sipas tij, gjatë takimit u diskutua për punën e policisë së Maqedonisë së Veriut dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Patëm një takim të hapur dhe miqësor, ku u vlerësua puna e policisë sonë. Gjatë viteve 2024 dhe 2025 kemi shënuar, në total, një rritje prej 99 për qind të shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit policor me shërbimet partnere, përfshirë Europolin”, deklaroi Janev.
Bisedimet u përqendruan në forcimin e shkëmbimit të informacionit, përmirësimin e cilësisë së tij dhe mundësinë e hetimeve të përbashkëta me policitë e vendeve të tjera.
“Hapëm kapituj të rinj që pritet të zhvillohen në të ardhmen e afërt. Policia jonë qëndron krah për krah me policitë evropiane”, tha ai.
Në këto takime u diskutua edhe për veprimin e policive pas përfundimit të mundshëm të konfliktit në Ukrainë. Janev theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve kriminale mbetet ndër prioritetet kryesore. / Aktuale.mk



