Një aksident i pazakontë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në qytetin e Velesit, ku një i ri ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi ka humbur kontrollin mbi biçikletën e tij elektrike.
Sipas informacioneve që Tetovasot i siguron nga SPB Veles, ngjarja është raportuar më 27 korrik 2025, në orën 09:55, kur në rrugën “Rruga e Rashtanit”, J.D. (28) nga fshati Bashino Sella, komuna e Velesit, ka humbur kontrollin mbi biçikletën elektrike dhe është rrëzuar në rrugë.
“Si pasojë e rrëzimit, ai ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konstatuar dhe trajtuar në Qendrën e Urgjencës në Spitalin e Përgjithshëm të Velesit,” njoftojnë për Tetovasot burime nga SPB.
Në vendin e ngjarjes intervenoi menjëherë ekipi hetimor i SPB Veles, i cili ka kryer këqyrjen dhe ka nisur procedurat për dokumentimin e plotë të rastit.
Ky rast rikthen vëmendjen mbi sigurinë e përdoruesve të biçikletave elektrike, të cilat po bëhen gjithnjë e më të zakonshme nëpër qytetet e vendit, por që shpesh përdoren pa masa të mjaftueshme mbrojtëse dhe në kushte të pasigurta.