Maqedonia e Veriut është shtet sekular dhe çdo veprim që krijon përshtypjen e përzierjes së fesë me institucionet shtetërore është i papranueshëm dhe antikushtetues, deklaroi Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët, duke reaguar ashpër ndaj spërkatjes së makinave të reja të policisë nga një klerik ortodoks në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
“Çdo gjest që ngjan me ritual fetar mbi mjete apo institucione shtetërore bie ndesh drejtpërdrejt me parimin kushtetues të ndarjes së fesë nga shteti. Institucionet publike duhet të mbeten plotësisht neutrale ndaj çdo besimi,” theksoi Bexheti.
Sipas tij, neutraliteti shtetëror nuk është çështje simbolike apo protokollare, por detyrim ligjor dhe kushtetues që garanton barazinë e të gjithë qytetarëve. “Shteti nuk guxon të favorizojë apo të identifikohet me asnjë fe. Veprime të tilla dërgojnë mesazh të gabuar dhe rrezikojnë besimin e qytetarëve në paanshmërinë e institucioneve,” shtoi ai.
Bexheti kërkoi sqarim institucional dhe përgjegjësi për ngjarjen, duke nënvizuar se MPB-ja dhe institucionet e tjera publike duhet të respektojnë rreptësisht karakterin sekular të shtetit. “Ligji dhe Kushtetuta janë mbi çdo praktikë që tenton ta relativizojë ndarjen mes fesë dhe shtetit,” përfundoi ai.(INA)


