Besimtarët e krishterë ortodoksë, sot kremtojë të “Premten e Madhe”, të cilën e quajnë edhe si dita më e vështirë e vitit. Kjo është dita në të cilën nuk bien kambanat e kishave, sepse në këtë ditë është kryqëzuar Jezu Krishti dhe me këtë ditë, fillojnë festat e Pashkëve.
Kjo ditë e rëndësishme për besimtarët ortodoksë kremtohet me liturgji fetare dhe lexim të evangjelisë.
E “Premtja e Madhe” ndryshe quhet edhe Kryqëzim, sepse në këtë ditë, sipas besimit ortodoks është kryqëzuar Jezu Krishti, dhe nga këto arsye, llogaritet dita më e vështirë.
Sipas besimit ortodoks, me një kurorë gjembash në kokë, Krishti ka mbartur kryqin e tij deri në kodrën Golgota, ku është kryqëzuar dhe ku para daljes së shpirtit kërkoi falje nga Perëndia për ekzekutuesit e tij duke thënë në zë: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë çfarë bëjnë”.
Për këtë ditë, Kisha ka paraparë agjërim të rreptë që dita të kalojë pa ngrënë dhe pirje, në mënyrë që të shënohen ngjarjet e asaj dite.
Sipas mësimeve ortodokse, Krishti vdiq në kryq në “orën e gjashtë” të ditës, ku dielli është errësuar, të vdekurit janë zgjuar nga varri, dhe të gjitha këmbanat janë plasaritur.
Nga këtu, të “Premten e Madhe” rrahin kambana prej druri, ndërsa kambanat në kisha nuk bien deri të dielën, kur do të deklarohet “gëzimi ringjalljes së Krishtit.”
Në kishat e krishtera ortodokse vendoset një tavolinë enkas e zbukuruar e cila simbolizon varrin e Jezu Krishtit.
Në të, vendoset një mbulesë në të cilën është e paraqitur fytyra e Jezusit. Në këtë ditë besimtarët ortodoksë shkojnë në kishë me lule dhe vezë të kuqe të cilat i lënë te “varri i Jezusit” duke puthur mbulesën, ndërsa më pas përkulen duke kaluar nën tavolinë duke u lutur për paqe dhe mirëqenie.
Përkulja dhe kalimi nën tavolinën e cila simbolizon varrin e Jezusit, në besimin ortodoks simbolizon vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit.
Mendohet se ai që kalon hyn si një mëkatar dhe largohet si një njeri i pastruar nga mëkatet.
E “Premtja e Madhe” dhe Pashkët, kryesisht kalohen në gjirin familjar me gatime tradicionale dhe vizitë në kishë.
/AA