25 June
Gëzuar Fitër Bajrami! Sot, këtë urim ja thonë njëri tjetrit myslimanët e gjithë botës me rastin e festës së Fitër Bajramit, që kurorëzohet me përmbylljen e Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Në Shkup, ceremonia kryesore e faljes së Bajramit u zhvillua në xhaminë” Mustafa Pasha” ku morën pjesë mijëra besimtarë mysliman. Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi përkujtoi se Fitër Bajrami është festë e paqes, solidaritetit dhe dashurisë mes njerëzve.
Edhe një herë e lus Allahun fuqi plot, popullin mysliman kudo që gjendet dhe neve si pjesë e pandarë e atij populli, Allahu xh.sh të na i bëj kabull edhe agjërimin, edhe Ramazanin, edhe ibadetin që e kemi ushtrua për Allah dhe në emrin e tij. Nga, ana tjetër të shpresojmë se do të na shpërblej me shpërblimet e tija më të çmueshme që i ka i madhëria e tij në thesarin e tij të pashtershëm sepse të gjithë kemi nevojë për shpërblime prej anës së Allahut fuqi-plot – deklaroi Sulejman Rexhepi, BFI.
Emri i festës Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët gjatë ditëve të muajit të Ramazanit dhe para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit për ta festuar së bashku këtë festë. Gjithashtu, në këtë ditë myslimanët bashkohen në falje dhe vizita, është dita kur miqtë i ripërtërinë urat e dashurisë dhe elementet e afërsisë, dita kur shpirti fisnik i harron gabimet e të tjerëve ndaj tij, bashkohet pas ndarjes dhe e përshëndet pas injorimit.
Melihate Rustemi

