Ish-drejtoresha ekonomike e Klinikës për Toksikologji, Besija Iljazi, e cila pranoi fajësinë për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit, pasi kishte angazhuar në mënyrë të paligjshme 17 persona me kontrata honorarë në këtë institucion publik shëndetësor, tani me vendim gjyqësor është obliguar t’ia kthejë Klinikës mjetet që ua kishte paguar honorarëve. Klinika Universitare për Toksikologji e paditi ish-drejtoreshën ekonomike, duke kërkuar dëm material dhe jomaterial. Gjykata Themelore në Tetovë ka vendosur që ajo duhet të kthejë vetëm mjetet e paguara për honorarët si dëm material, në shumën prej 659.831 denarësh (rreth 11 mijë euro). Dëmi material është konstatuar përmes ekspertizës së një eksperti ekonomik.
Besija Iljazi u dënua me pranimin e fajësisë për “shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit” me dënim me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse, me dy vjet burg, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda katër vjetësh nuk kryen vepër të re penale. Përveç dënimit me kusht, me vendimin gjyqësor ajo u obligua të ndjekë “program individual probacioni” dhe plan për zbatimin e mbikëqyrjes mbrojtëse.
Ajo pranoi fajin se, duke vepruar në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore, në maj të vitit 2024 kishte lidhur kontrata për vepër me persona për angazhimin e tyre në Klinikën për Toksikologji në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, pas së cilës kishte lëshuar urdhërpagesa retroaktive, me të cilat u paguante kompensim mujor për një angazhim të pretenduar të mëparshëm. Në listë kishte shtuar edhe persona me të cilët nuk ishte lidhur fare kontratë për vepër, por të cilëve po ashtu u ishte paguar kompensim për punë të pretenduara.
I gjithë rasti kishte ndodhur në periudhë parazgjedhore dhe shkaktoi vëmendje mediatike. Drejtori mjekësor i Klinikës në atë kohë, dr. Danil Petrovski, kishte refuzuar të nënshkruante punësimet për të cilat këmbëngulte Iljazi, pasi bëhej fjalë për periudhë parazgjedhore. (koha.mk)


